RTSH 24 Live

Sociale

Të prekurit nga kolla e mirë, shkon në 8 numri i fëmijëve të infektuar në Korçë

23/04/2024

Të prekurit nga kolla e mirë, shkon në 8 numri i fëmijëve të infektuar në Korçë

Rriten rastet e fëmijëve me kollë të mirë në Korçë. Gjatë këtij muaji janë evidentuar 8 raste të moshave nga 0 në 12 muaj.

“Është vënë re një rritje e rasteve me kollën e mirë dhe kanë qenë gjithsej 8 raste, nga të cilat shumica kanë qenë fëmijë të moshës nën një vit dhe nga këta katër raste kanë qenë të moshës nën  6 muaj. Rastet që kemi pasur kanë qenë relativisht të rënda. Është një sëmundje mjaft kontagioze e cila transmetohet nga një person tek tjetri”, tha Robert Rado, Shef i Pediatrisë.

Në kalendarin shqiptar të vaksinimit përfshihen vaksinat kundër kësaj sëmundje në moshat 2, 4 dhe 6 muaj, si dhe në moshën 2 dhe 5 vjeç. Rado bën të ditur se ata fëmijë që kanë kryer vaksina joqelizore të blera jashtë shtetit janë më pak të mbrojtur nga kolla e mirë.

“Vaksinimi sipas të dhënave të fundit jep një mbrojtje e cila nuk dihet sa zgjat dhe mendohet se ata persona të cilët kanë marrë vaksinën e tipit të dytë joqelizore kanë një mbrojtje më të dobët dhe më të shkurtër sesa personat që marrin vaksinën e tipit qelizor. Karakteristike është se kjo lloj sëmundje nuk shoqërohet me temperaturë por karakteristika klinike të kollës e bëjnë atë të dallueshme”, u shpreh mjeku.

Mjekët bëjnë apel për kujdes të shtuar për fëmijët dhe paraqitjen te mjeku në rast të shfaqjes së simptomave.

/RTSH/