RTSH 24 Live

Botë

Tanket për Ukrainën, kryeministri polak i kërkon Gjermanisë një vendim të guximshëm për Leopard 2

24/01/2023

Tanket për Ukrainën, kryeministri polak i kërkon Gjermanisë një vendim të guximshëm për Leopard 2

Kryeministri i Polonisë i bëri thirrje sërish Gjermanisë, që të tregojë “guxim” dhe të lejojë vendin e tij që të eksportojë 14 tanke luftarake Leopard 2 në Ukrainë.

Mateusz Morawiecki i tha BBC-së se Gjermania kishte një "përgjegjësi të veçantë", pasi kishte krijuar "fonde të mëdha nga Rusia”, para luftës, duke blerë gazin e saj.

Ukraina i sheh tanket Leopard 2 si jetike për të thyer linjat ruse, si dhe për të mposhtur një kundërofensivë që parashikohet. Por, duke qenë se Leopard 2 prodhohen në Gjermani, Berlini duhet të miratojë eksportimin e tyre.

Gjermania ka hezituar të dërgojë tanket e saja, ose të lejojë kombet e tjera që të bëjnë të njëjtën gjë. Një nga shqetësimet e saj është se një lëvizje e tillë mund të përshkallëzojë më tej konfliktin me Rusinë.

Morawiecki tha se do t'i jepte Gjermanisë një ose dy javë kohë për të marrë një vendim, por pavarësisht kësaj, do të dërgonte tanket e saj, çfarëdo që të thotë Berlini.

"Ne do ta bëjmë këtë pavarësisht se cili do të jetë vendimi,"- tha ai. 

"Gjithësesi, ne duam të vazhdojmë procedurat që na kërkohen."- shtoi ai.

Morawiecki pretendon se Gjermania duhet të dërgojë disa nga Leopard 2 të saj, pasi kanë 350 tanke operacionale Leopard dhe 200 në ruajtje.

"Pse t'i mbani ato në ruajtje?"- pyeti ai.

Qeveria gjermane i tha BBC-së se kishte marrë sot kërkesën për të eksportuar 14 tanke të prodhimit gjerman. Tanket Leopard 2 u projektuan posaçërisht për të konkurruar me tanket ruse T-90, të cilat po përdoren në luftë.

Në një intervistë për BBC, Morawiecki tha se një lëvizje urgjente nga Gjermania është "shumë e rëndësishme".

“Kjo është arsyeja pse ne kemi biseduar me partnerët tanë gjermanë që të mos ketë zvarritje, të mos vonohen, por thjesht të marrin vendime të guximshme”,- tha ai.

"Gjermania luajti një rol kyç në ndërtimin e fondeve të mëdha ruse për këtë luftë, duke blerë gazin rus, duke tregtuar me Rusinë për shumë kohë. Tani ka një përgjegjësi të veçantë mbi supet e Gjermanisë,"- shtoi ai.

Të martën, ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius tha se Berlini u kishte dhënë vendeve aleate dritën jeshile për të trajnuar ukrainasit për të përdorur tanke Leopard 2, por nuk u angazhua për të dërguar tanke të tyre.

Pistorius tha se një vendim për furnizimin me tanke do të merret së shpejti. Shefi i shtabit të ushtrisë shtoi se çdo vendim do të merret në nivel politik.

“Ne po i inkurajojmë partnerët tanë nëse duan, dhe nëse kanë mundësi, që të fillojnë trajnimin e forcave ukrainase me Leopard”,- tha Pistorius në një konferencë shtypi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.

Vendet aleate janë shqetësuar nga ajo që ata e perceptojnë si ngurrim gjerman për të dërguar automjete të blinduara. Por Miguel Berger, ambasadori i Gjermanisë në MB, i tha BBC-së se vendimet "nuk do të drejtohen nga larmia e lajmeve".

Dërgimi i tankeve Leopard 2 në Ukrainë "do të ushtronte presion dhe tension shtesë në marrëdhëniet midis Gjermanisë dhe Rusisë",- tha ai.

"Kancelari Scholz duhet të ketë kohë për të analizuar implikimet strategjike të vendimit dhe më pas të marrë një vendim me partnerët. kjo është shumë e rëndësishme."

Duke folur të martën, ministri i Mbrojtjes i Polonisë, Mariusz Blaszczak tha se ai po i bënte thirrje Gjermanisë që të "bashkohet me koalicionin e vendeve që mbështesin Ukrainën me tanke Leopard 2".

"Kjo është kauza jonë e përbashkët, sepse siguria e të gjithë Evropës është në rrezik!"-  shtoi ai.

Por Pistorius mbrojti kancelarin gjerman Olaf Scholz, kundër kritikave se ai po e zvarriste vendimin.

"Të marrësh drejtimin nuk do të thotë të vazhdosh verbërisht përpara,"- tha ai. "Dhe nëse vendimi merr edhe një ditë ose dy, atëherë ashtu le të bëhet." BBC

/rtsh.al/