RTSH 24 Live

Politikë

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, Kikia: Politikanët që sulmojnë drejtësinë janë të kërcënuar

18/04/2024

Sulmet e Metës ndaj Dumanit, Kikia: Politikanët që sulmojnë drejtësinë janë të kërcënuar

Sulmet e Kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani, për gazetarin Mentor Kikia tregojnë se ndihet i kërcënuar. Sipas gazetarit të gjithë politikanët që sulmojnë drejtësinë dhe mendojnë se drejtësia mund t’u heqë tulla murit që i mbron, ndihen të kërcënuar.

Kikia bëri me dije se çështja CEZ-DIA është pranë përfundimit dhe mund të implikojë drejtpërdrejtë Ilir Metën.

“Nga ajo që është bërë publike është çështja CEZ-DIA që është pranë përfundimit dhe mund të implikojë drejtpërdrejtë z.Meta dhe kjo mund të ketë shkaktuar këtë reagim të tij agresiv. Të gjithë politikanët që sulmojnë drejtësinë janë të kërcënuar.

Çdokush që mendon se drejtësia mund t’u heqë tulla atij murit që i mban ata të mbrojtur, normalisht ndihe të kërcënuar”, u shpreh Kikia në emisionin “Jetë Shqiptare”.

Gazetari u shpreh se rikthimi i Metës në “ringun” politikë ishte agresiv.

Gjuha e përdorur nuk është ajo që duhet të kishte një ish-president. Ishte një rikthim agresiv kur kishte qëndruar krejtësisht pasiv për një kohë të gjatë.

Befas rikthimi në ringun politik, vjen me sulme të paprecedenta ndaj Z.Dumani. Dhe është përpjekur të ndajë z.Dumani nga SPAK. Duket se ka informacion për gjërat që kanë lëvizur në drejtim të tij. Z.Meta edhe më herët ka pasur dosje por nuk prodhoi ndëshkim penal”, u shpreh ai më tej.

Kikia u ndal më tej edhe te klasa politike në Shqipëri, që sipas tij duhet t’i hapë rrugë gjeneratës së re.

 “Do doja që kjo klasë politike ka dhënë gjithçka dhe nuk mundet që një njeri të rikthehet disa herë në detyrë kur e ka pasur atë detyrë.

Kjo klasë politike që sundon vendin prej 33 vitesh do doja të ishte larguar për t’i hapur rrugën gjeneratave të reja, ideve të reja dhe sot e shohim shpresën te burgu për të bërë atë që se bën vetëdija qytetarë e politike e politikanit që pasi mbyll një karrierë të caktuar tërhiqet dhe vota e qytetarëve që liderin që ka konsumuar kohën e caktuar nuk e voton dhe zgjedh një tjetër. Vetëdije nuk ka, demokraci brenda partive nuk ka dhe ne e shohim shpresën të burgu për të larguar një kasë politikanësh që i kanë zënë rrugën të resë”, përfundoi ai.

Kujtojmë se gjatë ditëve të fundit, kreu i Partisë së Lirisë ka folur me tone të ashpra kundër kreut të SPAK, Altin Dumani. Sipas Metës, Dumani është kushëriri i të penduarit të drejtësisë Nuredin Dumani, dhe se ka dërguar njerëz që ta detyrojë të largohet nga Shqipëria.

/rtsh.al/