RTSH 24 Live

Europë

Sistemi "Patriot" në Ukrainë, Gjermania forcon kapacitetin e ushtrisë ukrainase  

13/04/2024

Sistemi "Patriot" në Ukrainë, Gjermania forcon kapacitetin e ushtrisë ukrainase  

Gjermania do të dërgojë një sistem shtesë të mbrojtjes ajrore Patriot në Ukrainë për të forcuar kapacitetin e ushtrisë ukrainase dhe për ta ndihmuar atë të shmangë sulmet ajrore të shtuara ruse, - tha Berlini të shtunën.“Për shkak të rritjes së sulmeve ajrore ruse kundër Ukrainës, qeveria gjermane ka vendosur të forcojë më tej mbrojtjen ajrore të Ukrainës”, - thuhet në një deklaratë të Ministrisë së Mbrojtjes. 

Deri tani Gjermania i ka dërguar Ukrainës dy sisteme ajrore Patriot. Kjo dërgesë vjen ndërsa ministri i Brendshëm  Borius Pistorius dhe ministrja e Jashtme gjermane, Analena Berbok po lobojnë intensivisht te partnerët perëndimorë për dërgimin të sistemeve mbrojtëse në Ukrainë. “Terrori rus kundër qyteteve ukrainase dhe infrastrukturës së qytetit është duke shkaktuar vuajtje të shumta” - është shprehur ministri Pistorius. 

Më herët gjatë ditës, komandanti i përgjithshëm i ushtrisë ukrainase, Oleksandr Syrsky ngriti shqetësimin se situata në frontin lindor është përkeqësuar në mënyrë të konsiderueshme në ditët e fundit. Ai u shpreh se Rusia po shton përpjekjet në luftë, duke angazhuar njësite të reja të armatosura që  të arrijnë sukses taktik. 

Edhe presidenti Volodomir Zelenski ka paralajmëruar se pozicioni ushtarak i Ukrainës është duke u dobësuar për shkak të mungesës së municioneve dhe armëve, sidomos ato për mbrojtje ajrore, për shkak të bllokimit të ndihmës amerikane. Lufta ruse në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt të vitit 2022. 

Gazetare Vjollca Zharri

/ rtsh.al /