RTSH 24 Live

Botë

Shpërthim pranë sheshit Taksim në Stamboll, 6 të vdekur dhe 81 të plagosur! Erdogan: Sulm terrorist

13/11/2022

Shpërthim pranë sheshit Taksim në Stamboll, 6 të vdekur dhe 81 të plagosur! Erdogan: Sulm terrorist

Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në rrugën Beyoğlu Istiklal pranë sheshit Taksim në Stamboll, duke i marrë jetën 6 personave dhe plagosur 81 të tjerë. Shpërthimi ka ndodhur në një nga rrugët më të frekuentuara nga njerëzit si dhe ku ndodhen shumë biznese. Videot në rrjetet sociale kanë treguar momentin e shpërthimit ku duket se rruga ka qenë e mbushur plot me njerëz, të cilët janë larguar duke bërtitur sapo kanë parë flakët nga shpërthimi.

Për ngjarjen ka reaguar edhe presidenti turk Erdogan, i cili duke e quajtur sulm terrorist, tha se autorët do marrin dënimin që meritojnë dhe se ky sulm nuk mund të nënshtrojë Turqinë.

“Përpjekjet për ta nënshtruar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre as sot, e as nesër, ashtu siç nuk e arritën dje. Të jetë i sigurt kombi ynë se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen ashtu siç e meritojnë. Ndonëse mund të jetë e gabuar të quhet terrorizëm në terma absolutë, të dhënat e para sinjalizojnë se mund të bëhet fjalë për terrorizëm”, tha Erdogan

Një numër i madh ekipesh shëndetësore dhe policore janë dërguar në vendngjarje, ndërsa gjykata e Stambollit ka ndaluar mediat në vend që të transmetojnë pamjet nga vendngjarja.

"Ndalimi i transmetimit është vendosur në lidhje me shpërthimin në Stamboll. Është vënë në vëmendje të të gjitha organizatave tona mediatike”, thuhet në vendim.

Nuk dihet ende se pse ka ndodhur shpërthimi, ndërsa hetimet e autoriteteve turke vijojnë në terren.

/rtsh.al/