RTSH 24 Live

Rajon

Shkupi ‘ndizet’ nga protesta e dhunshme! Dëgjohen të shtëna me armë, lideri i opozitës akuzon se donin ta vrisnin

06/07/2022

Shkupi ‘ndizet’ nga protesta e dhunshme! Dëgjohen të shtëna me armë, lideri i opozitës akuzon se donin ta vrisnin

Në ditën e pestë të protestës në Shkup, mijëra qytetarë janë mbledhur para Kryeministrisë për të protestuar kundër propozimit francez, përmes të cilit synohet të tejkalohen dallimet mes Shkupit dhe Sofjes. Për shkak të dhunës së protestuesve në ditët e kaluara në Shkup ka një prani të madhe të forcave policore para institucioneve shtetërore.

Edhe protesta e sotme pati përdorim të dhunës si dhe janë dëgjuar të shtëna me armë. Lideri i opozitës Hristjan Mickosk ka deklaruar se një person ka dashur ta vrasë atë sonte. Ai përmes një statusi në Facebook, ka publikuar një fotografi ku thotë se ai person ka dashur ta vrasë, derisa, në pamjet e kamerave ai shihet se është duke gjuajtur në ajër.

“Ky është njeriu që do të më vriste sonte. Kërkoj që menjëherë të arrestohet!”, ka shkruar ai.

Personi që akuzon lideri i opozitës maqedonase

Nga protestat e kaluara janë arrestuar 11 persona për dhunën e ushtruar para Ministrisë së Jashtme dhe Kuvendit, ndërsa 47 policë janë lënduar. Protestuesit hodhën gurë, sende të forta dhe shishe me benzinë kundër parlamentit dhe policisë, ndërsa shkaktuan mjaft dëme materiale.

Dhuna është dënuar nga një pjesë e partive dhe përfaqësive diplomatike perëndimore në Shkup. Ndërkohë, propozimit po i jepet përkrahje e gjerë nga komuniteti ndërkombëtar.

Protestuesit kundërshtojnë propozimin e Macronit për heqjen e vetos bullgare, pasi pretendojnë se propozimi francez lejon “bullgarizimin” e Maqedonisë së Veriut dhe nuk  njeh as gjuhën e as historinë maqedonase.

/rtsh.al/