Shkencëtarët po përpiqen të krijojnë një lloj të ri buke që është po aq e shëndetshme sa mielli integral, por që ka pamje dhe shije si buka që bëhet me miell të bardhë.
Projekti është financuar nga qeveria për të përmirësuar përfitimet shëndetësore të ushqimit në Mbretërinë e Bashkuar.
Studiuesit planifikojnë të shtojnë sasi të vogla bizele, fasule dhe drithëra në përzierjen e bukës, si dhe krunde dhe grurë që normalisht hiqen nga mielli i bardhë.
Prodhuesit e bukës janë përpjekur t'i bëjnë bukën e bardhë më të shëndetshme në të kaluarën duke shtuar krunde në miellin e tyre.
Projekti kërkimor është ende në fazat e hershme. Dr Catherine Howarth nga Universiteti Aberystwyth, i cili është një nga drejtuesit e këtij projekti, tha se shkencëtarët kishin filluar të analizonin përbërjen kimike të detajuar të miellit të bardhë ekzistues.
Ajo tha se rritja e vlerave ushqyese në nivelet e bukës integrale duke ruajtur shijen dhe ndjesinë e bukës së bardhë ishte një veprim delikat balancues.
Faza përfundimtare do të jetë testimi i kësaj buke të re te njerëzit për të parë nëse ata mund ta dallojnë atë nga bukët e bardha të zakonshme.
Ekipi hulumtues beson se qasja e tyre do të ketë sukses sepse ata po shtojnë vetëm shtresën e brendshme të krundeve, e cila është më pak e ngjyrosur sepse po përdorin drithëra të tjera shumë ushqyese, por me shije më pak të fortë.
Buka e bardhë duhet të ketë minerale dhe vitamina të shtuara me ligj për të kompensuar vlerat që humbet në procesin e përpunimit. Por Dr Amanda Lloyd, e cila po punon me Dr Howarth dhe z. Holister, beson se përdorimi i përbërësve natyralë do ta bënte bukën e bardhë edhe më të shëndetshme.
/rtsh.al/