RTSH 24 Live

Politikë

Shkarkimi i Metës, Kushtetuesja kalon çështjen për shqyrtim në seancë plenare

15/10/2021

Shkarkimi i Metës, Kushtetuesja kalon çështjen për shqyrtim në seancë plenare

Gjykata Kushtetuese vendosi sot kalimin e çështjes së vendimit të Kuvendit për shkarkimin e Presidentit të Republikës për shqyrtim në seancë plenare publike.

“Në Gjykatën Kushtetuese është në shqyrtim vendimi i Kuvendit të Shqipërisë “Për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë për shkelje të rënda të Kushtetutës”. Ky vendim i është dërguar Gjykatës Kushtetuese të Kuvendit të Shqipërisë dhe është regjistruar në këtë Gjykatë në datën 14 qershor”, thuhet në njoftimin e publikuar në faqen zyrtare të Gjykatës Kushtetuese.

“Gjykata e ka marrë në shqyrtim paraprak këtë çështje në përputhje me afatet procedurale të parashikuara në ligjin e saj organik dhe në Rregulloren e Brendshme, ndërkohë që veprimtaria e saj për shqyrtimin e të gjitha çështjeve ka qenë e pezulluar për periudhën 1 gusht 2021 deri në 10 shtator 2021, e cila përkon me lejen vjetore të gjyqtarëve, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë””, thekson GJK.

“Në përfundim të shqyrtimit paraprak të kësaj çështjeje, Gjykata vendosi: “Kalimin e çështjes për shqyrtim në seancë plenare publike”, data e së cilës do të caktohet në përputhje me rregullat procedurale të gjykimit kushtetues”, shton GjK.