RTSH 24 Live

Aktualitet

Shemsi Prençi, kandidati i parë për Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

16/09/2024

Shemsi Prençi, kandidati i parë për Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit

Vetëm pak ditë pasi është hapur zyrtarisht gara për regjistrimin e kandidatëve për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është zbuluar edhe emri i parë për kandidatë.

Shemsi Prençi është kandidatura e parë për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ndërsa lajmi është konfirmuar nga vetë ai, i cili ka dërguar aplikimin dhe dokumentet e nevojshme me postë.

Pas dorëheqjes së Muhamet Rrumbullakut, Ministria e Brendshme ka shpallur thirrjen për aplikim për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, ku aplikimet do të pranohen deri më 18 shtator.

Kandidatët mes kritereve që duhet të plotësojnë janë mbajtja e njërës nga gradat e rolit të mesëm drejtues, të kenë shtetësi shqiptare dhe të mos kenë qenë të dënuar me vendim të formës së prerë.

Muhamet Rrumbullaku u dorëhoq nga posti i Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit më 5 shtator, pas 2 vitesh në krye të këtij institucioni, pikërisht për t’i hapur rrugë hapjes së garës për kreun e ri të bluve.

Kompetencat e kryepolicit i janë deleguar zv.drejtorit Sokol Bizhga, deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri me garë, në bazë të ligjit të ri.

KUSH ËSHTË SHEMSI PRENÇI

Shemsi Prençi, ka qenë pjesëtar Ministrisë së Rendit, prej shumë vitesh, duke shërbyer në drejtori të ndryshme si drejtues. Me gradën Drejtues i Parë, Prençi në 2009 ishte transferuar nga drejtor i policisë së Fierit, në drejtor të forcave speciale.  

Në të kaluarën ai ka drejtuar policinë e Fierit, Elbasanit, Dibrës, forcat lëvizëse Operacionale si dhe ka drejtuar Emergjencat Civile dhe ka mbajtur edhe postin e këshilltarit për sigurinë të Presidentit të Republikës.

VLERËSIMI I KANDIDATËVE

Kandidatët, brenda 7 ditëve nga shpallja e thirrjes për aplikim, duhet të dorëzojnë dokumentacionin e plotë të përcaktuar në Udhëzimin nr. 160, datë 2.9.2024

Pas përfundimit të afatit 7-ditor për paraqitjen e shprehjes së interesit, Ministria e Brendshme publikon në faqen zyrtare emrat e kandidatëve.

Brenda 10 ditëve pune nga përfundimi i afatit të dorëzimit të shprehjeve të interesit, Komisioni i Posaçëm kryen vlerësimin paraprak, me qëllim verifikimin e plotësimit të kushteve ligjore.

Në përfundim të vlerësimit paraprak, Komisioni harton listën e kandidatëve që plotësojnë kushtet ligjore dhe më pas organizon seancë dëgjimore me kandidatët. Anëtarët e Komisionit vlerësojnë të gjithë informacionin e vënë në dispozicion prej kandidatëve, dokumentacionin e mbledhur dhe informacionin e marrë gjatë seancës dëgjimore dhe i dorëzojnë Ministrit renditjen e kandidatëve, së bashku me vlerësimet me shkrim.

/rtsh.al/