RTSH 24 Live

Politikë

Sassoli i premton Ruçit: Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit

22/01/2021

Sassoli i premton Ruçit: Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit

Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli i ka premtuar Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi se Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE.
Në një letër drejtuar zotit Ruçi ai e falenderon për prezantimin e Rezolutës së Kuvendit të Shqipërisë mbi hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian si dhe miratimin e planit të masave për përmbushjen e përparësive të përcaktuara nga Këshilli i Bashkimit Europian.
Zoti Sassoli shkruan se ka ndjekur nga afër përparimin që ka bërë Shqipëria drejt integrimit të saj në Bashkimin Europian. Ai vlerëson se raporti i Komisionit Europian pasqyron përparimin që ka bërë vendi drejt plotësimit të kritereve të përcaktuara nga Këshilli në konkluzionet e tij të datës 26 mars 2020. "Vlerësoj angazhimin e autoriteteve shqiptare dhe qytetarëve shqiptarë ndaj anëtarësimit në Bashkimin Europian" shkruan zoti Sassoli duke premtuar se "Të jeni të sigurtë se Parlamenti Europian do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt integrimit në BE".
Presidenti Sassoli vlerëson bashkëpunimin midis Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë, ndër të tjera bashkëpunimin në kuadër të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri. "Jam i bindur se ky bashkëpunim do të rritet në mënyrë progresive në të ardhmen", shkruan në letrën e tij drejtuar Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi, Presidenti i Parlamentit Europian David Sassoli.