RTSH 24 Live

Botë

Rrëzimi i MH17, Ekipi Hetimor: Putini furnizoi raketën që rrëzoi avionin

08/02/2023

Rrëzimi i MH17, Ekipi Hetimor: Putini furnizoi raketën që rrëzoi avionin

Tashmë ka sinjale të forta se presidenti rus, Vladimir Putin, ishte ai që vendosi të furnizonte raketën që rrëzoi aeroplanin MH17 në vitin 2014. Kjo u bë e ditur nga hetues ndërkombëtarë.

Avioni u godit mbi Ukrainë nga një raketë e prodhuar nga Rusia, duke vrarë afro 300 persona. Prokurorët thanë se kishte prova se ishte Putin që vendosi t'u jepte raketën separatistëve të mbështetur nga Moska.

Gjithësesi, nuk ka prova të drejtpërdrejta se ishte Putin ai që urdhëroi rrëzimin e avionit. Rusia nga ana e saj mohon përfshirjen në rrëzimin e aeroplanit.

Prokurorët thanë sot se kishin shteruar të gjitha pistat e hetimit dhe nuk mund të vazhdonin më me procedimin penal. Boeing 777 po fluturonte nga kryeqyteti holandez për në Kuala Lumpur, kur u godit nga një raketë tokë-ajër e prodhuar nga Rusia në korrik 2014, gjatë një konflikti midis rebelëve pro-rusë dhe forcave ukrainase në rajonin Donbas të Ukrainës.

Nga 298 pasagjerët dhe ekuipazhi, 196 ishin holandezë, ndërsa shumë nga pasagjerët e tjerë ishin nga Malajzia, Australia, Britania e Madhe, Belgjika dhe vende të tjera.

Në një deklaratë, Ekipi i Përbashkët Hetimor tha se gjykata vendosi se Moska kishte "kontroll të plotë" mbi Republikën Popullore të Donetskut, e cila kontrollonte zonën në korrik 2014.

Ekipi citoi biseda telefonike të regjistruara ku zyrtarët rusë thanë se vendimi për të ofruar mbështetje ushtarake "i takon Presidentit".

"Ka informacione konkrete se kërkesa e separatistëve i është paraqitur presidentit dhe se kjo kërkesë është miratuar,"- tha Ekipi.

Por ata shtuan se nuk dihet nëse kërkesa "përmend në mënyrë të po0saçme" sistemin e përdorur për të rrëzuar MH17.

“Edhe pse flasim për sinjale të forta, niveli i lartë i provave të plota dhe përfundimtare është vështirë të vërtetohet”,- thanë hetuesit.

“Për më tepër, Presidenti gëzon imunitet në pozicionin e tij si kreu i shtetit”.

Ekipi i Përbashkët i Hetimit përbëhet nga anëtarë nga Holanda, Australia, Belgjika, Malajzia dhe Ukraina, vendet më të prekura nga rrëzimi i MH17.

Ekipi donte të provonte identitetin e anëtarëve të ekuipazhit që lëshoi raketën dhe se kush ishte në zinxhirin komandues, por pranoi se kjo nuk ishte e mundur për momentin.

Vitin e kaluar, një gjykatë holandeze shpalli tre persona, dy rusë dhe një ukrainas, fajtorë për vrasje në mungesë, për pjesëmarrjen e tyre në rrëzimin e MH17.

Moska i hodhi poshtë ato vendime duke i cilësuar si "skandaloze" dhe të motivuara politikisht.

Piet Ploeg humbi vëllanë e tij, gruan e vëllait dhe nipin në MH17. Ai tha se ishte i kënaqur që prokurorët kishin paraqitur provat e tyre për përfshirjen e zotit Putin.

"Ne nuk mund të bëjmë shumë me të, Putini nuk mund të ndiqet penalisht,"- i tha ai Reuters. 

“Ne donim të dinim se kush ishte në fund të fundit përgjegjës dhe kjo është e qartë”.

Kryeministri holandez Mark Rutte tha se ishte një "zhgënjim i hidhur" që nuk kishte prova të mjaftueshme për të garantuar ndjekje të mëtejshme.

Por ai shtoi se njoftimi i ekipit ndërkombëtar nuk do të thotë se procesi i drejtësisë penale ka përfunduar.

"Që nga viti 2014, ne jemi njohur shumë me modelin e pengesave, të pavërtetave dhe padrejtësive nga Rusia dhe presidenti i saj, Putin. Ne do të vazhdojmë t'i bëjmë thirrje Federatës Ruse të japë llogari për rolin e saj në këtë tragjedi,"- tha zoti Rutte.

Në janar, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut konfirmoi se do të dëgjonte çështjen holandeze kundër Rusisë për rrëzimin e MH17. BBC

/rtsh.al/