RTSH 24 Live

Ekonomi

Rreth 400 milionë euro për ndërtimin e Portit Tregtar të Porto Romanos

02/02/2023

Rreth 400 milionë euro për ndërtimin e Portit Tregtar të Porto Romanos
Projekti i Portit Tregtar të Porto Romanos

30 kompani të huaja kanë shprehur interes për ndërtimin e Portit Tregtar të Porto Romanos, një nga veprat më të rëndësishme, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Energjise dhe Infrastrukturës Belinda Balluku, gjatë prezantimit me përfaqësues të kompanive dhe institucioneve financiare ndërkombëtare të interesuara për këtë projekt.
Sipas zonjës Balluku ndërtimi i kësaj vepre është një investim madhor. Porti do të shtrihet në 450 hektarë. Hyrja e tij do të jetë një kanal me thellësi prej 16 metrash për të mundësuar përpunimin e anijeve të mëdha që deri sot ishte e pamundur. Porti i ri do të ketë edhe një terminal të ri kontenierësh, i cili trefishon kapacitetet aktuale dhe mundëson automatizimin e proceseve. 
Vlera e investimit për ndërtimin e Porti të ri në Porto Romano, parashikohet të jetë 390 mln euro. Qeveria shqiptare do të përfshihet në këtë projekt përmes financimit të një shumë prej 180 mln euro, në formën e 2 granteve.
Qeveria shqiptare synon të ketë nënshkruar kontratën në fund të këtij viti, ndonëse investitorët kërkuan më tepër kohë për hartimin e ofertave.

( rtsh.al )