RTSH 24 Live

Politikë

Rama: Na akuzuan se tentuam të bllokonim SPAK, por PS garanton paprekshmërinë e reformës në drejtësi

17 orë para

Rama: Na akuzuan se tentuam të bllokonim SPAK, por PS garanton paprekshmërinë e reformës në drejtësi

Kryeministri Edi Rama ka theksuar edhe njëherë se Partia Socialiste, sipas tij, është forca politike që udhëhoqi reformën në drejtësi dhe që do të garantojë pakthyeshmërinë e saj. Deklaratën Rama e bëri gjatë takimit të nivelit të lartë me temë “Shqipëria 2030 në BE- Rruga e reformave”, ku të pranishëm ishin edhe ambasadorët e akredituar në Shqipëri.

Kryeministri tha se qeveria është sulmuar me akuza se ka tentuar të bllokojë punën e SPAK përmes Komisionit të Posaçëm Antikorrupsion, teksa i konsideroi si përpjekje për të penguar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Rama deklaroi se nëse do të jenë të nevojshme prekje të reformës në drejtësi, në funksion të adaptimit dhe përmirësimit sa i përket detyrave të anëtarësimit, duhet të kalojë përmes BE dhe SHBA. 

Që nga dashamirësit deri tek kritikët, nuk e kanë idenë e fazës së negociatave për anëtarësimin në BE fare, sepse përtej asaj që duket dhe asaj që lexohet sipërfaqësisht, kjo fazë është në fazë marramendëse sa i përket detyrave konkrete që duhet të kryejë Republika e Shqipërisë, jo thjesht qeveria. Ambicia jonë është të anëtarësojmë Shqipërinë në BE brenda kësaj dekade, shtuar këtu edhe penalin e dakordësuar shumë agresiv së bashku me Komisionin Europian që Shqipëria t’i përfundojë të gjitha detyrat brenda vitit 2027. Na e bëjnë të pamundur të jetojmë qetësisht me skepticizmat, dyshimet e ngurrimet, e lere pastaj me akuzat apo edhe me përpjekjet për ta penguar procesin. U gjet një fjalë magjike e ditëve tona që 6 muaj të shkonin dëm: ‘Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama kanë një plan të errët për të bllokuar SPAK dhe për të kthyer përmbys reformën në drejtësi’. Kur përmend SPAK dhe drejtësinë, ka shumë sensibilitet dhe shumë forca që angazhohen për të dalë menjëherë në mbrojtje, dhe unë se kisha të mundur ta evitoja këtë çështje këtu sepse dua t’ju kujtoj të gjithëve, duke filluar nga miqtë tanë, aleatët tanë strategjikë, duke vazhduar me të gjithë ata që janë përfshirë në këtë aspekt, PS, forca që qeveris vendin prej vitit 2013, është forca udhëheqëse e reformës në drejtësi dhe pa forcën udhëheqëse të reformës në drejtësi dhe pa vullnetin e hekurt të PS, jo Amerika, jo Europa, por të gjithë të tjerët të bëheshin bashkë nuk do ta kishin bërë dot të mundur reformën në drejtësi.

Padiskutim që pa mbështetjen e aleatëve tanë strategjikë, kjo reformë do të kishte pasur një rrugë komplet tjetër dhe do të ishte e pamundur, por kjo duhet të jetë shumë e qartë për të gjithë sepse ne nuk kemi kohë për të humbur e për të pritur ata që kanë një axhendë tjetër dhe një plan tjetër dhe që nuk u intereson anëtarësimi në BE, qoftë dhe për arsyen e thjeshtë se duan ta bëjnë vetë. Që Shqipëria të anëtarësohet në BE duhet të performojnë me të njëjtën shpejtësi 157 institucione të cilat kanë detyra specifike dhe 32 prej të cilave në këtë proces të negociatave, nuk kanë asnjë varësi nga qeveria. Në tryezën e negociatave, BE nuk negocion me qeverinë, negocion me Shqipërinë. Paprekshmërinë e reformës në drejtësi sot nuk e garanton as ambasada amerikane, as ambasada e BE, por PS që është forca e shumicës qeverisëse. Duke thënë që paprekshmërinë e reformës në drejtësi e garanton sot për sot kjo forcë që qeveris vendin dhe është shumicë, duhet të them edhe që çdo prekje e reformës në drejtësi, në funksion të adaptimit dhe përmirësimit sa i përket detyrave të anëtarësimit, duhet të kalojë përmes BE dhe SHBA. Kështu ka funksionuar kur është bërë reforma në drejtësi dhe kështu do të funksionojë edhe më pas”, tha Rama.

Ndalur te opozita, ai u shpreh se në situatën aktuale politike në vend është e pamundur të kërkohet konsensus për reformën në drejtësi dhe organet e reja të drejtësisië.

Nuk e kemi dhe është e kotë të përpiqemi ta kërkojmë, një hapësirë politike të bashkuar në këtë pikë. Unë e kuptoj Silvion kur thotë ‘të gjitha forcat’, kështu duhet të jetë, por kemi pamundësi sot për të pasur një mendje për reformën në drejtësi dhe organet e reja të drejtësisë”, deklaroi kreu i qeverisë.

Për Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion, Rama tha se synimi është që të kthehet në një mekanizëm permanent në Kuvendin e Shqipërisë për të ndjekur të gjithë procesin deri në momentin e anëtarësimit në BE.

“Puna e Komisionit Antikorrupsion është themelore dhe jo vetëm që duhet të mbështetet me të gjitha fuqitë dhe të çojë përpara punën e vet, por duhet që më tutje ta transformojmë në një mekanizëm permanent të Kuvendit të Shqipërisë për të ndjekur të gjithë procesin deri në momentin e anëtarësimit në BE dhe për të bërë të mundur që përmes këtij mekanizmi, të gjitha institucionet që janë të përfshira në këtë proces të performojnë në lartësinë e ambicies Shqipëria anëtare në BE deri në 2030, përndryshe ne nuk e arrijmë dot këtë, volumi i detyrave që duhen bërë është i jashtëzakonshëm dhe BE nuk fal”, tha kryeministri.

/rtsh.al/