RTSH 24 Live

Ekonomi

Rama: Garancia sovrane, përfitues 6 mijë fermerë!

26/01/2022

Rama: Garancia sovrane, përfitues 6 mijë fermerë!

Kryeministri socialist Edi Rama ka shprehur vendosmërinë e qeverisë së tij për të intensifikuar prodhimin bujqësor në Shqipëri. 
Duke folur në një aktivitet ekonomik ai tha se në dispozicion të fermerëve për të financuar kolateralin e kredive të bujqësisë, është vendosur garancia sovrane, pjesë e paketës mbështetëse prej 4 miliardë lekë. Zoti Rama tha se nga ky fond kanë përfituar 6 mijë fermerë.  Ai bëri të ditur se me Bankën Evropian u alokuan 118 milion euro për të ndihmuar sektorë jetikë si bujqësia dhe turizmi duke lehtësuar financimin e tyre.

"Dua të ju them të gjithë atyre që sot me gjasë na ndjekin për të përsëritur një mesazh nga ana jonë se duhet të jenë më shumë këmbëngulës që në sektorin e bujqësisë, është e domosdoshme që të shikohet e ardhmja me syrin e inovacionit, me syrin e sipërmarrjes, e cila beson tek investimi i kapitaleve dhe po ashtu patjetër beson dhe tek ndërveprimi" tha zoti Rama. "Unë jam shumë i bindur që sot Shqipëria i ka të gjitha rastet e suksesit" shtoi ai.

Për kryeministrin shqiptar rruga e të ardhmes është  modernizimi i sektorit të prodhimit bujqësor, përpunimit dhe agropërpunimit. "Na takon ne si qeveri, i takon Ministrisë së Bujqësisë që të investohet seriozisht për të promovuar këto shembuj në sytë e të gjithë të tjerëve për të treguar me forcën e veprave të këtyre aktorëve se suksesi është i mundur dhe rruga e të ardhmes është e mundur" tha zoti Rama.

"Koha e bujqësisë së lëmoshës ka perënduar ashtu si kundër ka perënduar dhe koha e bujqësisë vetmitare, e atyre që mbeten thjesht në kufinjtë e ngastrës së tyre pasi është e pamundur, sado që të bëjë qeveria apo shteti për ta, që të garantohet një e ardhme më e mirë, apo që e tashmja të ketë një pamje tjetër" tha kryeministri shqiptar Edi Rama.