RTSH 24 Live

Ekonomi

Qeveria miraton Paketën e dytë të Rezistencës, 12 miliardë lekë do të përdoren për anti-krizën

10/08/2022

Qeveria miraton Paketën e dytë të Rezistencës, 12 miliardë lekë do të përdoren për anti-krizën

Fondi i kontigjencës për Paketën e Rezistencës Sociale ndaj Pasojave të Krizës, prej 12, 1 miliardë lekësh dhe, që përdoret me vendime të Këshillit të Ministrave, është tashmë efektiv dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.

Qeveria Shqiptare, sikundër kishte premtuar, ka rishikuar buxhetin e vitit 2022, duke marrë në konsideratë rritjen e të hyrave fiskale dhe ka ndarë nga këto të hyra një pjesë të konsiderueshme për të paguar shtresat që preken më shumë nga kriza pas fillimit të luftës në Ukrainë.

Duke filluar nga muaji mars dhe deri në fund të korrikut të hyrat fiskale janë rritur me 5,5 për qind ose rreth 30 miliardë lekë, rreth gjysmën e të cilave, qeveria do t’i rikthejë për të përballuar krizën, që nuk po ndalon ende. Dhe për këtë nuk do të pritet miratimi në Kuvendin e Shqipërisë.

Nga të ardhurat shtesë, prej 30 miliardë lekësh, 12 miliardë lekë do të përdoren për uljen e deficitit buxhetor dhe 13 miliardë lekë për rritjen e shpenzimeve publike. Nga rritja e shpenzimeve rreth 12 miliardë lekë shkojnë për “Paketën e Rezistencës”.

Fondi prej 1,6 miliardë lekësh planifikohet për kompensimin financiar të çmimit për disa materiale ndërtimi, sipas përcaktimeve në kontratat publike për punë, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg gjatë vitit 2022.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk ka detajuar ende përdorimin e këtij fondi. Por burime brenda këtij dikasteri pohuan për RTSH se paketa e dytë e rezistencës do të ketë pothuajse të njëjtin profil si ajo e marsit të këtij viti.

Pra do të indeksohen pensionet e rreth 674 mijë pensionistëve, do të vijojë mbështetja për fermerët për naftën pa taksa, do të paguhet transporti urban për diferencën e çmimit të biletës si dhe do të vijohet me mbështetjen e sektorit të energjisë elektrike, duke mos ndryshuar çmimin për kategoritë e familjarëve dhe të biznesit të vogël.

Në paketën e parë të rezistencë sociale qeveria planifikoi më shumë se 28 miliardë lekë për të mbështetur këto kategori, duke paguar 3,3 miliardë lekë për pensionistët, 1,45 miliardë lekë për naftën e fermerëve, 0,5 miliardë lekë për shërbimin urban dhe më shumë se 20 miliardë lekë për të mbajtur të pandryshuar çmimin e energjisë elektrike.

Ndryshimi i buxhetit të vitit 2022 nëpërmjet aktit normativ nr 12 të miratuar në fund të korrikut, nuk merr në konsideratë për momentin rritjen e pragut të tatimit mbi të ardhurat nga 40 mijë në 50 mijë lekë, sipas një premtimi të bërë më parë nga qeveria.

/rtsh/