RTSH 24 Live

Ekonomi

Qeveria dhe BE mbështesin peshkimin, gati thirrja e tretë për përfitimin e granteve

11/06/2022

Qeveria dhe BE mbështesin peshkimin, gati thirrja e tretë për përfitimin e granteve

Shqipëria ka filluar herët zbatimin e skemave të grantit të projektit “Fishing Blue”, me mbështetjen e Bashkimit Evropian.  20 kontratat e para me 20 flotat e peshkimit janë finalizuar me grantin e parë dhe kanë ndikuar për rritjen e prodhimeve të eksportit nga ky sektor. Projekti “Fishing Blue” po zbatohet me fondet e Bashkimit Evropian, në përputhje me Politikën e Përbashkët të Peshkimit të BE-së.

Përveç mbështetjes për administratën e peshkimit, projekti përfshin hartimin dhe zbatimin e një skeme grantesh për investimet në flotën e peshkimit me qëllim përmirësimin e qëndrueshmërisë së saj, pa rritur sforcon e peshkimit.

1.5 milionë euro nga BE dhe qeveria shqiptare u përdorën gjatë vitit 2021 për modernizimin e flotës shqiptare të peshkimit:

Grantet janë planifikuar për blerjen e anijeve të reja si dhe rinovimin e infrastrukturës  së  anijeve ekzistuese. Mbështetja e deritanishme ka qenë në masën 50% të vlerës së faturës tatimore.  Me anë të granteve specifike, projekti do të ndihmojë sektorin Shqiptar të peshkimit për të realizuar investime për lundrimin dhe sigurinë, pajisjet radio-satelitore,pajisjet që forcojnë sigurinë e ushqimit, dhomat frigoriferike, rrjetat e peshkimit, pajisjet për reduktimin e ndotjes mjedisore si dhe grante për pajisje motorrike. Në gjithë vendin janë rreth 360 mjete peshkimi.

Përfituesi i Skemës së Granteve të Investimeve në Peshkim është çdo individ ose pronar i kompanive të anijeve të peshkimit të regjistruara në Regjistrin e Anijeve të Peshkimit në Shqipëri, dhe që zotëron Numrin Unik të Identifikimit (NUI).

Çdo grant i kërkuar duhet të jetë ndërmjet vlerave  nga 2,500 euro deri në maksimumi 60,000 euro

Duhet përmendur që sektori i peshkimit mbështetet me subvencione edhe  nga skema kombëtare e bujqësisë.  Udhëzimi i miratuar në shkurt të këtij viti parashikon dhënien e subvencioneve nëpërmjet 13 masave për sektorin e serave, blegtorisë, peshkimit, shpërndarjen e naftës pa akcizë për fermerët, mbështetjen për ndërtimin e tregjeve të kafshëve të gjalla dhe dixhitalizimin e bujqësisë.

Në aktin nënligjor janë bërë ndryshime edhe për mbështetjen për ndërtimin e tregjeve të produkteve bujqësore ose tregjeve të kafshëve të gjalla për shoqëritë tregtare me kapital 100% shtetëror dhe kjo mbështetje do të jetë në vlerën e jo më shumë se 30 milionë lekëve për subjekt. Financimi i sektorit të peshkimit, është një prej 5 skemave kombëtare që po aplikohen nga Ministria e Bujqësisë.

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka lidhur së fundmi kontratën për një projekt për shtimin e kapaciteteve ankoruese në Portin e Peshkimit Durrës, ku aktualisht ankorohen 60% e anijeve të peshkimit të përmasave të ndryshme.

/rtsh.al/