Në të kaluarën, kafeja shoqërohej me rritje të rreziqeve shëndetësore. Kërkimet shkencore në dekadat e fundit zbulojnë se pirja e kafesë mund të ketë përfitime të mira për shëndetin.
"Tradicionalisht, kafeja është parë si një gjë e keqe. Kërkimet nga vitet 1980 dhe 1990 arritën në përfundimin se njerëzit që pinin kafe kishin një rrezik më të lartë të sëmundjeve kardiovaskulare, por studimet kanë evoluar gjatë kësaj kohe” u shpreh Marc Gunter, profesor i epidemiologjisë së kancerit në Imperial College London.
Kafeja është shoqëruar me një rrezik në rritje të kancerit, sepse përmban akrilamide, një substancë kancerogjene që gjendet në ushqime, duke përfshirë bukë të thekur, ëmbëlsira dhe patatina.
Megjithatë, studimet arritën në përfundimin në vitin 2016 se kafeja nuk është kancerogjene. Jo vetëm kaq, por më shumë kërkime kanë zbuluar se kafeja në fakt mund të ketë një efekt mbrojtës. Disa studime kanë treguar një lidhje midis pirjes së kafesë dhe një rreziku më të ulët të disa llojeve të kancerit te pacientët.
Në vitin 2017, Gunter publikoi rezultatet e një studimi që shqyrtoi zakonet e pirjes së kafesë të gjysmë milioni njerëzve në të gjithë Evropën gjatë një periudhe 16-vjeçare. Ata që pinin më shumë kafe kishin një rrezik më të ulët të vdekjes nga sëmundjet e zemrës, goditjet në tru dhe kanceri. Këto gjetje janë në përputhje me kërkimet nga pjesë të tjera të botës, duke përfshirë SHBA-në , dhe kërkime më të fundit në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas studimeve konfirmohet se njerëzit që pinë deri në 4 filxhanë kafe në ditë kanë më pak sëmundje në krahasim me ata që nuk pinë asnjë.
Megjithatë rezulton se ata që pinin kafe kishin më shumë gjasa të pinin duhan dhe kishin dieta më të pashëndetshme sesa ata që nuk pinin kafe. Kjo do të sugjeronte që nëse kafeja ul rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe kancerit, ajo nuk mund të shmang efektet e sjelljeve jo të shëndetshme.
/rtsh.al/