RTSH 24 Live

Politikë

PS nis mbledhjen e “Sterilizimit”, Vokshi: Komisioni Hetimor është marrë peng, të largohet Ndreca

2 orë para

PS nis mbledhjen e “Sterilizimit”, Vokshi: Komisioni Hetimor është marrë peng, të largohet Ndreca

Akuza në distancë janë hedhur nga opozita dhe mazhoranca në komisionin hetimor për “Sterilizimin” dhe “Check-Up”, ku secila palë akuzon njëra-tjetrën se po marrin peng hetimet e këtyre koncesioneve.

Teksa kryetarja e komisionit Albana Vokshi ishte në një konferencë për shtyp nga Kuvendi, PS vendosi nisjen e mbledhjes vetëm me anëtarët e saj.

Vokshi pretendon se komisionin hetimor është marrë peng dhe se mbledhjet e zhvilluara nga mazhoranca janë nul. Ajo gjithashtu kishte kërkuar zëvendësimin e nënkryetarit Plarent Ndrecaj, pasi ishte në konflikt interesi, kërkesë që iu refuzua nga kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali.

Sipas Vokshit mazhoranca tenton të mohojnë ekzistencën e opozitës.

"Në datën 11 i kemi dërguar Spiropalit një shkresë ku e kemi informuar me problematikat që ka hasur Komisioni Hetimor, me pengimin nga ana e mazhorancës dhe me uzurpimin e drejtimit nga ana e mazhorancës. I kemi kërkuar drejtueses së Parlamenti që të zëvendësojë nënkryetarit që ka penguar hetimin parlamentar dhe të paralajmërojë 6 anëtarët e tjerë që kanë penguar hetimin. Të lejojë hyrjen e  anëtarëve të opozitës që janë përjashtuar, në një kohë që ky komision ka një afat përfundimi që është më 22 tetor. Komisioni është i paplotë, mbledhjet janë nul. Komisioni Hetimor nuk preket nga përjashtimet që janë marrë në seancën parlamentar, pasi është ngritur për një qëllim të caktuar dhe janë shkelur afatet dhe pas pak ditësh të përfundojë pa 75 % të pranisë së deputetëve të opozitës. Ky komision nuk e kryen detyrën s’duhet dhe mbledhjet janë nul. I kemi kërkuar që të marrë masa disiplinore ndaj sekretarit të përgjithshëm për shkeljet që janë bërë. Kryetarja e kuvendit nuk ka marrë asnjë masë dhe prej një jave nuk ka përgjigje. Ata po thërrasin mbledhjet kur në fakt është kryetari që thërret dhe drejton mbledhjen por ata janë të vendosur që të mohojnë ekzistencën e opozitës”, tha Vokshi.

Nga ana tjetër Plarent Ndreca ka nisur mbledhjen e komisionit hetimor, ku tha se kjo po kryhet sipas të gjitha proceduarave.

Edhe anëtari i PS Petro Koci akuzoi opozitën se është ajo që po tenton të marr peng komisionin duke bllokuar hetimin, por nuk ka për t’ia dalë.

“Dua të denoncoj taktikën e kryetares së komisioni për të bllokuar hetimin parlamentar, gjithmonë me synimin kryesor alibinë se kur të vij momenti të kërkojnë shtyrjen e këtij komisioni të pretendojnë që është mazhoranca që bllokon hetimin dhe nuk do të luftojnë korrupsionin. Ne hetimit do i shkojmë deri në fund”, tha Koçi.

Afati përfundimtar i komisioni hetimor është më 22 tetor, ndërkohë që për shkak të urdhrit të përjashtimit të deputetëve të opozitës pas dhunës në Kuvend, komisioni po punon vetëm me gjysmën e anëtarëve të saj.

/rtsh.al/