RTSH 24 Live

Europë

Przydacz: Vizita e Biden ne Poloni, thelbësore për sigurinë

05/02/2023

Przydacz: Vizita e Biden ne Poloni, thelbësore për sigurinë

Vizita e presidentit amerikan, Joe Biden në Poloni është thelbësore për sa i përket mbështetjes së mëtejshme amerikane për sigurinë e Polonisë, deklaroi fundjavën e kaluar këshilltari i presidentit polak për Politikën e Jashtme, Marcin Przydacz.

Biden njoftoi të hënën e kaluar se do të vizitonte Poloninë, por pa dhënë detaje për nje datë të caktuar.

“Ne tashmë, e dimë me siguri se presidenti Joe Biden do t’i përgjigjet pozitivisht ftesës së presidentit Duda për të vizituar Poloninë”, tha për “TVP Info” kreu i Byrosë së Politikës Ndërkombëtare, Przydacz.

“Siç është rënë dakord me palën amerikane, data e kësaj vizite do të shpallet në kohën e duhur”, tha ai.

“Gjatë vizitës në Poloni, Biden pritet të takohet me presidentin, Andrzej Duda për të shkëmbyer mendimet e tyre për zhvillimet e mëtejshme në Ukrainë”, tha Przydacz.

“Për ne, mbështetja e mëtejshme për sigurinë e shtetit polak do të jetë vendimtare”, shtoi këshilltari i presidentit polak për Politikën e Jashtme, Marcin Przydacz.

( Sipas ATSH )