RTSH 24 Live

Politikë

Protesta e 26 prillit, Berisha fton partitë opozitare: Bashkohuni me ne në betejën ndaj Edi Ramës

24/04/2024

Protesta e 26 prillit, Berisha fton partitë opozitare: Bashkohuni me ne në betejën ndaj Edi Ramës

Ish-kryeministri Sali Berisha ka ftuar të gjitha forcat politike që t’i bashkohen protestës së opozitës më 26 prill. Duke folur nga dritarja e banesës së tij, Berisha iu ka bërë thirrje qytetarëve dhe partive opozitare që të bëhen pjesë e protestës.

 “Të dashur miq, 48 orë na ndajnë nga dita e fitores. 48 orë! Ndaj dhe unë, sonte kam një thirrje për çdo qytetar të Tiranës të bëjë gjithçka për të firmosur ditën e premte fitoren e tij, fitoren e fëmijëve të tij, fitoren e Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.

Thirrja ime është për çdo demokrate dhe demokrat të kryeqytetit, të ngrihet në lartësinë e idealeve të tij, sakrificave të pamerituara, vuajtjeve që i ka krijuar regjimi antishqiptar i Edi Ramës në këto 11 vite.

Të lërë çdo gjë dhe të prijë ditën e premte në betejën e fitores.

Sot ftoj të gjitha forcat politike që shpallin veten opozitare të vijnë në betejë se beteja është prova e moralit opozitar, e guximit opozitar, e opozitarizmit të vërtetë”, u shpreh Berisha.

Ai ftoi edhe të rinjtë që të marrin pjesë në protestë teksa deklaroi se kryebashkiaku ia ka dorëzuar mafies, qytetin e Tiranës.

U bëj thirrje të rinjve, të rejave të jeni të parët në këtë betejë sepse në qoftë se Erion Veliaj, Tiranën që duhet të ishte foleja e familjeve tuaja të reja, duhet të ishte shtëpia më e bukur e ëndrrave tuaja, ia ka dorëzuar mafies. Ndaj dhe ju nuk keni alternativë tjetër veçse largimin prej saj. E premtja është dita për të treguar guximin tuaj, forcën tuaj, fitoren tuaj”, tha Berisha.

/rtsh.al/