RTSH 24 Live

Sport

Presidenti Duka optimist: Mund të kalojmë grupin, kam besim te Shqipëria

02/12/2023

Presidenti Duka optimist: Mund të kalojmë grupin, kam besim te Shqipëria

Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka komentoi shortin e Euro 2024, ku kuqezinjtë gjejnë Kroacinë, Spanjën dhe Italinë.

Nuk besoj se ka grup të lehtë dhe ekipe të dobëta, ndaj edhe quhet turne final Europian. Këtu vijnë skuadrat më të mira, ndaj nuk mund të nisesh nga shorti, por të jesh gati për të bërë më të mirën”, u shpreh Duka.

Pasi falënderon futbollistët, stafin,trajnerin Sylvinho dhe tifozët, që e sollën Shqipërinë në Europian 2024, Kreu i Federatës Duka, theksoi se,  “ta shijojmë këtë sukses dhe të përgatitemi për finalet e Europianit, ku do të provojmë të bëjmë më të mirën. I fortë bëhesh duke fituar me të fortët, ndaj ne këtë do ta provojmë në Europian”.

Në këtë kontekst, Duka tha se e hapim Europianin me Italinë, ku shpresojmë të kemi djemtë në formë të mirë dhe të bëjmë më të mirën. “Uroj dhe vazhdojmë të besojmë që do të kalojmë grupin. Nuk e di kush nuk do të kualifikohet nga ato të treja”.

I pyetur për reagimin e trainierve kundërshtar, atij italian Spalletti dhe kroatit, Daliç, që deklaruan se është grup shumë i vështirë, Presidenti i FSHF-së, u shpreh se, “përderisa e thonë ata, do të thotë që llogarisin edhe Shqipërinë si kundërshtar të fortë. Nuk do të jetë e lehtë, por ne do të bëjmë më të mirën. Janë të gjitha ndeshje për t’u luajtur dhe për t’u shijuar”.

Kreu i Federatës u shpreh optimist për mbështetjen e Kombëtares sonë nga tifozeri shqiptare.

Unë kam shumë besim që do të ketë mbështetje të madhe për Shqipërinë, por nuk do të jenë më të paktë edhe italianët. Unë uroj që Italia ta nisë ndeshjen lehtë”, përfundoi prononcimin pas shortit që u mbajt sot në Hamburg të Gjermanisë.

/rtsh.al/