RTSH 24 Live

Europë

Pesë ushtarë ukrainas vriten pasi ushtaraku i Gardës Kombëtare hapi zjarr

27/01/2022

Pesë ushtarë ukrainas vriten pasi ushtaraku i Gardës Kombëtare hapi zjarr

Një ushtar i Gardës Kombëtare të Ukrainës hapi zjarr në një dhomë në një fabrikë makinerie, duke vrarë pesë ushtarakë dhe duke plagosur pesë të tjerë, raportojnë mediat lokale, njofton Newsweek.
Artemiy Ryabchuk, 20 vjeç, ruante fabrikën Pivdenmash në qytetin e Dnipros, rreth 240 milje në juglindje të kryeqytetit Kiev, kur hapi zjarr me një pushkë kallashnikov rreth orës 19:00,  të enjten, tha ministria e punëve të brendshme të Ukrainës.
Gazeta e lajmeve Syevodnya.ua raportoi se ai mori një pushkë AK-47 dhe fishekë në një dhomë armësh ku ndodheshin 22 ushtarë dhe filloi të qëllonte përpara se të ikte.
Ushtari u arrestua më vonë, tha Ministria e Brendshme e Ukrainës.
Një zëdhënës i Gardës Kombëtare tha se i dyshuari kishte qenë në shërbim që nga viti i kaluar dhe "nuk ishte pjesë e një grupi të personelit ushtarak të monitoruar nga psikologët," raportoi gazeta Syevodnya.ua.
Ushtria e Ukrainës është në gatishmëri të lartë mes frikës së një pushtimi nga trupat ruse të grumbulluara në kufirin e vendit.