RTSH 24 Live

Kosova

Përkeqësohet situata në veri të Kosovës, sulmohet me shok bombë patrulla e EULEX

11/12/2022

Përkeqësohet situata në veri të Kosovës, sulmohet me shok bombë patrulla e EULEX

Një patrullë vëzhguese e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX, është sulmuar me një shok bombë (bombë çorientuese) mbrëmjen e së shtunës, në afërsi të Rudarës, në komunën e Zveçanit. Lajmi është bërë me dije nga EULEX, që konfirmon se fatmirësisht asnjë zyrtar i Njësisë Policore nuk është lënduar, teksa i konsideroi sulmet të papranueshme

Konfirmojmë se një bombë çorientuese (shok-bombë) është hedhur ndaj një patrulle vëzhguese të EULEX-it mbrëmjen e kaluar (10.12) në afërsi të Rudares. Asnjë zyrtar i Njësisë Policore të Specializuar të EULEX-it nuk është lënduar dhe nuk janë shkaktuar dëme materiale. Ky sulm, si dhe sulmet ndaj zyrtarëve policorë të Policisë së Kosovës, janë të papranueshme. Ne i dënojmë fuqishëm aktet e dhunshme të kryera nga persona të armatosur në pjesën veriore të Kosovës, përfshirë kundër komunitetit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.

Po ashtu theksohet se EULEX do të vijojë të punojë për të mbështetur stabilitetin e Kosovës, teksa i bën thirrje autoriteteve që të çojnë para drejtësisë autorët e sulmit.

EULEX-i do të vazhdojë të punojë me vendosmëri për ta mbështetur stabilitetin e Kosovës, në kuadër të mandatit që e ka, si dhe të kontribuojë për sigurinë e popullatës nga të gjitha komunitetet. Apelojmë te të gjithë ata që janë përgjegjës që të përmbahen nga veprime të tjera provokuese si dhe iu bëjmë thirrje institucioneve të Kosovës që autorët t'i sjellin përpara drejtësisë”, theksohet në reagim. 

Ky sulm është dënuar edhe nga ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili po ashtu ka kërkuar ndëshkimin e autorëve.

SHBA-ja i bashkohet EULEX-it në dënimin e fuqishëm të sulmit ndaj një patrullë të EULEX-it mbrëmë. Sulmet e dhunshme ndaj Policisë së Kosovës dhe personelit të sigurisë ndërkombëtare janë të papranueshme dhe përgjegjësit duhet të japin llogari përmes sistemit kosovar të drejtësisë”, shkroi Hovenier në Twitter.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur ndjeshëm që nga 6 dhjetori, kur u dëmtuan zyrat e komisioneve komunale zgjedhore në Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok. Në komunat në veri, të banuara me shumicë serbe, ka pasur të shtëna me armë zjarri, hedhje të granatave të dorës dhe shok bombave. Serbët ngritën barrikada në veri të Kosovës, në shenjë pakënaqësie me arrestimin e një ish-polici serb të Kosovës.

/rtsh.al/