RTSH 24 Live

Politikë

Pas Alibeajt, edhe “Rithemelimi” i PD-së, depoziton në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve

28/09/2022

Pas Alibeajt, edhe “Rithemelimi” i PD-së, depoziton në Kuvend një projektligj për hapjen e dosjeve

Një tjetër draft nga opozita është dorëzuar sot në Kuvend, lidhur me ligjin për lustracionin, ose siç njihet ndryshe, për hapjen e dosjeve. Pas kryetarit të grupit parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, ka qenë deputeti i Rithemelimit të PD-së, Oerd Bylykbashi, ai që ka dorëzuar ditën e sotme në Kuvend projektligjin për lustracionin.

Pas këtij akti ai u shpreh për mediat se “ajo që është me rëndësishme është se ky projektligj zgjidh çështjen e dosjeve për të gjithë shqiptarët”.

Sipas tij, në funksionet drejtuese të shtetit shqiptar dhe në një seri funksionesh publike të rëndësishme, funksionarët e lartë politikë të PPSH-së, drejtuesit e aparatit të dhunës të Ministrisë së Brendshme, Hetuesisë, Prokurorisë, Sigurimi i Shtetit dhe bashkëpunëtorët e këtij sistemi, që kanë kryer aktivitet duke dhunuar të drejtat e shqiptarëve, të mos jenë më në funksione publike.

“Ky është një ligj që i shkon në mënyrë të plotë dhe serioze deri në fund të këtij problem, si dhe bazohet tek eksperienca e mëparshme, si dhe ligji i vitit 2008, duke u pasuruar edhe me një bazë të re kushtetuese që është neni 6/1 i Kushtetutës. Ne gjykojmë që përputhshmëria është e plotë, sepse është e njëjta bazë kushtetuese që u përdor për të larguar kriminelët nga politika​. Baza kushtetuese është e re dhe ky do të jetë një ligj që do të miratohet me 3/5. Kemi marë parasysh një parim për ndarjen e pushtetit,si dhe respektimi i garancive. Po ashtu si ligji i dekriminalizimit, zgjidhen edhe këto aspekte. Në këtë valë debati, ne, siç e kemi premtuar, vijmë me këtij ligj që jo vetëm garanton hapjen e plotë të dosjeve, por çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë të hapë dosjen e vet.”- deklaroi Bylykbashi.

Sipas tij, Kushtetuta e parashikon të drejtën e deputetëve për të paraqitur një projektligj dhe “ne po i përgjigjemi një debati me një ligj të plotë, që është lustracioni”.

“Kush ka qënë pjesë e strukturave kriminale të komunizmit, s’mund të marrë asnjë post publik për një periudhë të caktuar dhe ata që i kanë do të largohen. Sigurisht që PS-së ky ligj i dhemb shumë, pasi dy herë e kanë goditur në Gjykatë Kushtetuese. Do të shohim nëse do të vazhdojnë të jenë mbrojtësit e flaktë të krimeve të komunizmit siç kanë qënë deri më sot, si dhe do të dalë qartë hipokrizia e këtyre propozimeve që kanë deri tani në parlament", tha ai. /rtsh.al/