RTSH 24 Live

Muzikë

Orkestra Simfonike e Shkodrës përgatitet për koncertin e parë të vitit në prill

29/02/2024

Orkestra Simfonike e Shkodrës përgatitet për koncertin e parë të vitit në prill

Orkestra Simfonike e Shkodrës e riformatuar vitin e kaluar, është një nga asetet kulturore të këtij qyteti. Shfaqja më e fundit e saj në publik ishte në kuadër të karnavaleve. Nën drejtimin e maestro Jetmir Barbullushit, ajo vijon provat çdo javë në mjediset e stadiumit "Loro Boriçi".

Dirigjenti tregon se përgatitjet për koncertin e parë të këtij viti po vijojnë normalisht.

"Ky është një koncert me muzikë nga filma shqiptarë e të huaj. Kryesisht janë edhe shkodranë, të cilët kanë realizuar muzikë filmi, siç janë Zef Çoba, Gjon Simoni, Robert Radoja. Do të jenë edhe të njohurit e muzikës së filmit shqiptar, si Kujtim Laro, Thomas Simaku e shumë të tjerë," thotë dirigjenti Jetmir Barbullushi.

Për maestron Barbullushi, inkuadrimi i elementit të ri në orkestër mbetet një nga objektivat e tij personalë.

"Duhet të shkojmë drejt një trupe profesioniste, t'i hapim rrugën shumë talenteve tanë që janë këtu," shton z. Barbullushi.

Përgjatë vitit të kaluar Orkestra Simfonike e Shkodrës dhuroi disa koncerte për publikun shkodran si dhe zhvilloi një tur artistik në qytetet shqiptare jashtë kufijve administrativë të vendit.

Përgatiti: Marjo Gjini

/rtsh.al/