Policia e Shtetit bëri të ditur të hënën se është arrestuar në Francë, Behar Bajri, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar në kuadër të operacionit policor “Metamorfoza”.
Sipas policisë, falë shkëmbimit të inteligjencës policore, ndërmjet Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, është kapur në Francë, me qëllim ekstradimin.
“Në vijim të punës gjurmuese dhe kërkimore, si dhe bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit, mesditën e sotme, falë inteligjencës policore të siguruar nga Policia e Shtetit, shkëmbimit në kohë reale të informacionit, nëpërmjet oficerëve të kontaktit të Policisë së Shtetit dhe Policisë Franceze, si dhe koordinimit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Parisit, u bë e mundur kapja në Francë, nga Policia franceze, e shtetasit shqiptar B. B., 43 vjeç,“ njofton policia.
Kapja e këtij shtetasi, sipas policisë, u bë me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë.
“Interpol Tirana, në bashkëpunim me agjencitë ligjzbatuese dhe me Interpol Parisin, vijojnë punën për plotësimin e dokumentacionit, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, të 43-vjeçarit. Kapja e këtij shtetasi tregoi edhe një herë bashkëpunimin serioz, profesional dhe të besueshëm mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve, si dhe vendosmërinë e Policisë së Shtetit, për të gjurmuar, lokalizuar, kapur dhe çuar para drejtësisë, shtetasin e shpallur në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar,” njofton policia.
Arrestimi i Bajrit, Balla: Askush nuk do mundet t’i shmanget drejtësisë
Për arrestimin e Behar Bajrit në Francë, ka reaguar edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla. Nëpërmjet një deklarate për shtyp, Balla thekson se Policia e Shtetit ka finalizuar një operacion të rëndësishëm jashtë Shqipërisë në bashkëpunim agjenci të tjera ligjzbatuese.
“Ky operacion domethënës është një pasqyrë e qartë e vullnetit të agjencive tona për ta goditur krimin dhe se askush nuk do mundet t’i shmanget drejtësisë. Përgëzoj oficerët e përfshirë në këtë operacion, për profesionalizmin e lartë dhe mbi të gjitha për sigurinë e plotë të informacionit sensitiv deri në finalizimin e operacionit. Dua të rishpreh besimin e plotë se forcimi i bashkëpunimit mes agjencive tona ligjzbatuese, me strukturat e vendeve partnere si dhe lufta e përbashkët do ta çojë Shqipërinë në një tjetër nivel të sundimit të ligjit”- deklaron Balla.
Akuzat mbi Bajrin
Sipas dosjes “Metamorfoza”, nga hetimet ka rezultuar se biznesmeni Pëllumb Gjoka i ka kërkuar Behar Bajrit që të kryente vrasjen e një personi. Bëhet fjalë për shtetasin Klenthi Musabelli, një ish-punonjës i policisë së burgjeve. Për ekzekutimin e tij, Gjoka ofroi deri në 120 mijë euro.
Por referuar mesazheve të zbardhura ka rezultuar se Bajri ka komunikuar me Ervis Martinajn për të shkëmbyer objektivat e tyre. Behar Bajri dhe Denis Boriçi do të ekzekutonin shtetasin Gjin Boriçi për interes të Martinajt, ndërsa ky i fundit do të eliminonte Kleanth Musabelliun, vrasje e cila nuk u realizua.
Të arrestuarit deri tani nga operacioni “Metamorfoza”
Pëllumb Gjoka - biznesmen
Xhevahir Lita - ish-prokuror Kukës
Oltion Bistri - ish-shef i Operacionales
Ardit Hasanbegaj - ish-polic
Asmer Bilali
Edmond Preka - shofer i Pëllumb Gjokës
/rtsh.al/