RTSH 24 Live

Kosova

Operacioni i Policisë së Kosovës, 6 policë të plagosur dhe 8 të arrestuar

13/10/2021

Operacioni i Policisë së Kosovës, 6 policë të plagosur dhe 8 të arrestuar

etë persona janë arrestuar në kuadër të operacionit të Policisë së Kosovës me qëllim luftimin e kontrabandës në katër lokacione të ndryshme të vendit.

Sipas Policisë së Kosovës situata është e qetë aktualisht në Mitrovicën e Veriut, atje ku ka pasur reagime të qytetarëve serbë kundër bastisjeve të Policisë së Kosovës dhe operacioni është përmbyllur.

Policia njofton se përderisa në rajonin e Prishtinës, Pejës dhe Mitrovicës së Jugut operacioni është kryer pa probleme, në Mitrovicë të Veriut ka pasur reagim të qytetarëve ku policia është detyruar të reagojë.

“Në Mitrovicën e Veriut grupe kriminale në mënyrë të organizuar janë grumbulluar, kanë krijuar bllokime të rrugëve me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, shok bomba, të shtëna me armë zjarri e granata dore, me qëllim të pengimit dhe sulmit ndaj zyrtarëve doganorë dhe policorë, të cilët kanë qenë në kryerje të detyrës zyrtare”, njofton policia.

Sipas institucionit të vendosjes së sigurisë dhe rendit, këto veprime të qytetarëve kanë detyruar policinë të ndërmarrë veprime policore “duke përdorur mjetet e nevojshme ligjore, me qëllim të ofrimit të sigurisë ndaj zyrtarëve të përfshirë në operacion, qytetarëve në atë zonë dhe krijimit të mundësisë së lëvizjes e qarkullimit të lire”.

“Si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani janë raportuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 5 zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb. Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, njofton policia.

Sipas komunikatës deri në këtë fazë janë arrestuar 8 shtetas kosovarë prej të cilëve një serb dhe një boshnjak të cilët jetojnë në Mitrovicën e Veriut.

Në operacionin e policisë janë sekuestruar edhe mallra dhe dëshmi të ndryshme të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj.

Veprimet e mëtejme policore bëhet e ditur se janë duke u realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me Doganën e Kosovës dhe organet e drejtësisë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili reagoi lidhur me operacionin policor që u zhvillua në katër lokacione të ndryshme të Kosovës tha se krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen, do të luftohen.