RTSH 24 Live

Kosova

Ngjarja e rëndë në Kosovë, Sveçla: Angazhim maksimal policor për arrestimin e kriminelit

01/12/2022

Ngjarja e rëndë në Kosovë, Sveçla: Angazhim maksimal policor për arrestimin e kriminelit

Ngjarja e rëndë që ndodhi në Kosovë, ku një 35-vjeçare, e cila priste të sillte në jetë fëmijën e saj, u vra mizorisht nga ish-bashkëshorti para derës së maternitetit të Prishtinës, ka bërë që edhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, të reagojë duke shprehur tronditjen e tij.

Nëpërmjet një statusi në rrjetin e tij social Facebook, Sveçla shprehet se si të gjithë qytetarët e Kosovës, është i tronditur nga vrasja makabre e Hamide Magashit dhe fëmijës së saj pak orë pa lindur nga ish-bashkëshorti.

 Ai thekson se nga policia e Kosovës ka kërkuar angazhim maksimal të të gjithë zyrtarëve policorë, për arrestimin e menjëhershëm dhe sjelljen para drejtësisë “të kriminelit dhe vrasësit të dyfishtë, Sokol Halili”.

 “Arrestimi dhe drejtësia janë urgjenca e këtij rasti dhe ftoj edhe qytetarët të bashkëpunojnë me policinë nëse kanë informata që mund të lehtësojnë apo përshpejtojnë këtë proces. Po ashtu, që nga momentet e para e në vazhdimësi kam kërkuar raporte të detajuara mbi rastin dhe historikun që nga informata e parë zyrtare deri në momentin e aktit makabër. Në të njëjtën kohë kam kërkuar përfshirjen e Inspektoratit Policor të Kosovës për hetimin e punës, veprimeve apo mosveprimeve të zyrtarëve policorë të përfshirë në trajtimin e këtij rasti në secilën instancë. Pa asnjë dilemë, sapo të pranoj zyrtarisht raportet e kërkuara, do të merren të gjitha masat e nevojshme ndaj kujtdo që me apo pa vetëdije mund të jetë përgjegjës. Ju siguroj që janë angazhuar të gjitha kapacitetet e nevojshme policore që sa më parë ky kriminel të arrestohet dhe të sillet para organeve të drejtësisë.”,- shkruan Sveçla.

 /rtsh.al/