RTSH 24 Live

Ekonomi

Mosdeklarimi i pagave reale të punonjësve, biznesit i ngushtohen hapësirat, Financat 2- fishojnë gjobat

14/06/2022

Mosdeklarimi i pagave reale të punonjësve, biznesit i ngushtohen hapësirat, Financat 2- fishojnë gjobat

Biznesit të madh sa vjen dhe u ngushtohen hapësirat, lidhur me mosdeklarimin e pagave reale të punonjësve. Nëpërmjet disa ndryshime që pritet të miratohen në Kuvend në ligjin për “Procedurat Tatimore”, parashikohen gjoba të rënda për ato biznese, të cilat bëjnë deklarime të rreme të pagave.

Nëpërmjet ashpërsimit të gjobave, ministria e Financave pretendon se, synohet që ato të ndikojnë në reduktimin e shkeljeve, mbrojtjen e individëve të punësuar, si dhe pasqyrimin real në skemën e kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore.

Sipas projektligjit, i cili po i nënshtrohet një filtrimi parlamentar, nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritur për gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, do të dënohet edhe me gjobë në masën 100 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur.

Por drafti i hartuar nga ministria e Financave nuk ndalon vetëm këtu. Për mos deklarim page të saktë, nëse nga verifikimi dhe kontrolli rezulton se tatimpaguesi ka fshehur dhe nuk e ka deklaruar pagën e saktë të përfituar nga punëmarrësi, si rezultat i marrëdhënies së punësimit, tatimpaguesi-punëdhënës, përveç detyrimit për pagimin e shumës së detyrimit tatimor dhe kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të llogaritur për gjithë periudhën që provohet se është kryer shkelja, dënohet me gjobë në masën:

  1. 200 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për tatimpaguesit e regjistruar me përgjegjësi tatimore tatim fitimi dhe TVSH dhe,
  2. 100 për qind të detyrimit dhe kontributit të llogaritur për të gjithë tatimpaguesit e tjerë.

“Thembra e Akilit” për këto ndryshime ligjore qëndron në faktin se ato kanë ardhur si rezultat i informalitetit që u zbulua në deklarimin e pagave, pas publikimit të databazave të pagave në fund të vitit të kaluar, ku shumë profesione të mirë-paguara deklaroheshin se paguheshin me paga minimale.

Do të jenë fillimisht deputetët e komisionit parlamentar të ekonomi- financave, ata të cilët do të japin dritën e gjelbër apo jo, për këtë nisëm të ministrisë së Financave. Opozita, shpesh herë ka deklaruar se kontrolli i informalitetit nuk mund të bëhet nëpërmjet ashpërsimit të gjobave, por nëpërmjet shkëputjes së lidhjeve të qeverisë me bizneset që ajo favorizon politikisht.  

/rtsh.al/