RTSH 24 Live

Aktualitet

Mori 9 mln lekë ryshfet nga “Rrumi i Shijakut”, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-Avokatin e Shtetit

16/09/2024

Mori 9 mln lekë ryshfet nga “Rrumi i Shijakut”, Apeli i GJKKO lë në fuqi dënimin me 2 vite burg për ish-Avokatin e Shtetit
Ish Avokati i Shtetit Irgen Kërçuku

Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit ka lënë në fuqi dëbimin me dy vite burg për ish Avokatin e Shtetit Irgen Kërçukun.

Ish avokati kishte ankimuar vendimin e GJKKO, por gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Florjan Kalaja (anëtar), dhe Daniela Shirka (anëtare) vendosën të lënë në fuqi vendimin e dënimit të tij për korrupsion pasiv, i cili përfitoi nga gjykimi i shkurtuar.

SPAK akuzoi ish avokatin se është korruptuar nga Aleksandër Laho i njohur si “Rrumi i Shijakut”, për të mos vepruar për një seancë gjyqësore duke i dhënë 9 milionë lekë ryshfet.

Lidhjet mes Aleksandër Lahos dhe Irgen Kërçukut kanë dalë nga përgjimet e prokurorisë në qershor të 2017, ku “Rrumi i Shijakut” shfaqet duke bërë pazar në mënyrë që ish Avokati i Shtetit të tërhiqej nga ankimi i procesit gjyqësor të tjetërsimit të 45 mijë metrave katrorë tokë publike në Gjirin e Lalzit.   

“Rrumi i Shijakut” është një eksponent i njohur i krimit, i përfshirë në një sërë ngjarjesh kriminale në vend.

/rtsh.al/