RTSH 24 Live

Politikë

Mehmetaj: Rama nuk i fitoi zgjedhjet, por i bleu ato!

04/05/2021

Mehmetaj: Rama nuk i fitoi zgjedhjet, por i bleu ato!

Nënkryetarja e LSI, Kejdi Mehmetaj, në një deklaratë për media tha se vijojnë të dalin fakte se si kryeministri Edi Rama dhe banda e tij blenë, manipuluan e vodhën zgjedhjet e 25 prillit. Sipas Mehmetaj, rasti i dëmshpërblimeve të tërmetit është rasti më flagrant, për të cilin Prokuroria dhe SPAK ende nuk kanë folur. “Rasti i dëmshpërblimeve të tërmetit është rasti më flagrant për të cilin Prokuroria dhe SPAK ende nuk kanë folur. Qeveria ka përdorur pak ditë përpara zgjedhjeve miliona euro të buxhetit të shtetit për të blerë votën e qytetarëve në zonat e prekura nga tërmeti. Vetëm në këto zona qeveria ka shpërndarë 40 milion euro dhe në mënyrë fiktive ka rritur faturën e dëmeve të shkaktuara nëpër banesa, me qëllim blerjen e votës. Banesa të kategorizuara më parë si DS1, u rivlerësuan në DS2, ato DS2 u rivlerësuan si DS3 e kështu me radhë. Vetëm gjatë javës zgjedhore në Bashkinë e Durrësit u shpërndanë 6 milion euro para për dëmet e tërmetit, dhjetëra herë më shumë se sa janë shpërndarë në këtë bashki prej 1 viti e gjysmë. E njëjta strategji e përdorimit të institucioneve shtetërore për të influencuar dhe blerë votën e qytetarëve u përdor në datën 24 prill me rimbursimin e naftës për fermerët, ku dyert e Drejtorisë së Bujqësisë u hapën ditën e shtunë gjatë heshtjes zgjedhore për t’u shpërndarë tollona nafte fermerëve. Edi Rama nuk i ka fituar zgjedhjet, ai i bleu ato, por serish nuk ia doli!” tha Mehmetaj.