Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu e pranishme në inaugurimin e shkollës së rindërtuar “Emin Duraku” në Tiranë, theksoi investimet që janë bërë në përmirësimin e infrastrukturës arsimore jo vetëm në shkollat e Tiranës por në të gjitha shkollat në vend.
“Kemi ecur shumë shpejt me infrastrukturën shkollore. Janë 100 shkolla që përgjatë vitit 2024 janë rehabilituar ose janë në proces rehabilitimi.
40 kantiere të reja në të gjithë vendin tashmë janë hapur dhe brenda këtij viti shkollor edhe këto objekte arsimore do t’i shtohen kolanës së shkollave të rehabilituara që garantojnë standarde shumë të mira për nxënësit por edhe për mësuesit,” tha Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Manastirliu nënvizoi më tej se shumë shpejt do të prezantohet dhe paketave re e kurrikulës, pasi ka nisur puna për rishikimin e saj.
“Shumë shpejt do të prezantojmë paketën e re për modernizimin e kornizës kurrikulare. Lind nevoja që të gjitha sfidat e kohës që jetojmë dhe ato të së ardhmes t‘i projektojmë në kurrikulën arsimore.
Ndaj programet mësimore janë duke u rivlerësuar, sepse duam t’i përmirësojmë për të pasur tekste të reja në lëndët kyçe, sikurse është gjuha shqipe, matematika dhe teknologjia e informacionit dhe komunikimit (TIK) ku ne jemi duke punuar për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve inteligjentë.
Deri vitin e ardhshëm edhe 654 laboratorë inteligjentë do të ndërtojmë në shkolla që kurrikula e re e TIK-ut, të aftësojë sa më shumë nxënës duke filluar nga klasa e parë me programet e kodimit por nga ana tjetër ajo të integrohet në të gjitha lëndët”, deklaroi ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.
Ministrja u ndal edhe të mbështetja e mësuesve, jo vetëm me rritjen e pagave por edhe me kualifikimin dhe trajnimin e tyre në vazhdim përmes sistemit të ri të kualifikimit dhe Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve që tashmë ka nisur fazën e dytë dhe ku po trajnohen 16 mijë mësues të gjuhës shqipe, matematikës, fizikës, kimisë dhe të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
/rtsh.al/