RTSH 24 Live

Kosova

Kurti: Kosova po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO dhe në BE

29/05/2022

Kurti: Kosova po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO dhe në BE
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kosova po përgatitet për të aplikuar për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO dhe në BE. Kështu ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 47-të Këshillit të Përgjithshëm të LVV-së.

Kemi aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës është vlerë e shtuar për Këshillin dhe mundësi për Kosovën që të përparojë më shumë në fushën e drejtësisë. Jemi duke i bërë përgatitjet për aplikim për anëtarësim në Partneritetin e Paqes në kuadër të NATO-s, e do të aplikojmë edhe për anëtarësim në BE”, u shpreh Kurti.

Partneriteti për Paqe është program i bashkëpunimit praktik dypalësh ndërmjet shteteve partnere euroatlantike dhe NATO-s. Ky program, që është krijuar më 1994, u lejon shteteve që të zgjedhin vetë prioritetet për bashkëpunim. Sipas NATO-s, Partneriteti për Paqe ka për qëllim të rrisë stabilitetin, të ulë kërcënimet për paqe dhe të ndërtojë raporte më të forta të sigurisë ndërmjet partnerëve dhe NATO-s.

/rtsh.al/