RTSH 24 Live

Ekonomi

Krifca: 14% rritje të buxhetit për përballimin e ndryshimeve klimaterike 

16/11/2022

Krifca: 14% rritje të buxhetit për përballimin e ndryshimeve klimaterike 

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca, në konferencën e organizuar në Tiranë, nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ambasada Zvicerane dhe Banka Botërore, mbi mundësitë e financimit të gjelbër në Shqipëri, tha se bujqësia ka nevojë për më shumë akses në financë nga sistemi bankar, por dhe të diversifikojë burimet e financimit përmes instrumenteve të ndryshëm financiarë. 
Duke përgëzuar organizatorët për këtë iniciativë, Krifca theksoi se, “bujqësia për vetë impaktin që ka në mjedis, zë një vend të rëndësishëm në "axhendën e gjelbër".
Zonja Krifca kujtoi se liderët e Ballkanit Perëndimor në fund të 2020, kanë firmosur dokumentin e axhendës së gjelbër ku kanë ndërmarrë një sërë nismash.
Ato kanë të bëjnë me afrimin e bujqësisë me qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare, duke synuar zhvillimin e një bujqësie të qëndrueshme përballë sfidave të ndryshimeve klimaterike.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural tha se këtë vit në Shqipëri është ndërmarrë një strategji 7-vjeçare e cila është tërësisht në përputhje me objektivat zhvillimor të rëndësishëm që kanë të bëjnë me zhvillimin rural, ekonominë blu, sigurinë ushqimore, etj. “Këtë vit ne kemi rritur me 14% buxhetin për përballimin e ndryshimeve klimaterike, përsa i takon infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit mbrojtjes së përmbytjet që përbën një nga zërat kryesor në investimet publike që duhen ndërmarrë për të përballuar këto efekte" tha ministrja.
Krifca theksoi se, këto janë politika ambicioze që kanë nevojë për mjete financiare që nuk vijnë dot vetëm nga fondet publike. Ndryshimet klimaterike janë sfida të rëndësishme përballë sektorit bujqësor ndaj dhe kërkohet diversifikim i mekanizmave financiarë.
Sipas saj, në fokus të politikave që ka ndërmarrë MBZHR, është prioritet ulja e ndikimit të efekteve klimaterike si erozioni, tërmeti dhe përmbytjet, ndaj dhe çdo vit adresojmë një buxhet i posaçëm për këtë qëllim.