RTSH 24 Live

Kosovë

Kosovë, KQZ tregon numrin e qytetarëve me të drejtë vote në procesin e votimit për largimin e kryetarëve në veri

20/04/2024

Kosovë, KQZ tregon numrin e qytetarëve me të drejtë vote në procesin e votimit për largimin e kryetarëve në veri

KQZ ka publikuar numrin e qytetarëve me të drejtë vote për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Në këtë listë janë 46.556 votues, që është 1.461 votues më shumë krahasuar me zgjedhjet e 23 prillit 2023.

Më 3 prill, KQZ-ja ka miratuar qendrat e votimi, ku kanë qenë 43 sosh, por pas raportimeve të Sekretariatit të KQZ-së, u bë e ditur se nga 43 qendra, 33 prej tyre, që janë shkolla, drejtorët e tyre kanë refuzuar dhënien e tyre në përdorim për procesin e votimit.

Sipas të dhënave, numri i votuesve të rinj që do të votojnë për herë të parë është 1826, nga të cilët: 293 votues të rinj, që mbushën tetëmbëdhjetë vjeç pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, të mbajtura më 23 prill 2023; 1.533 zgjedhës, që nuk kanë qenë në Listën zgjedhore në zgjedhjet e jashtëzakonshme, të mbajtura më 23 prill 2023, dhe që mund të konsiderohen zgjedhës që janë regjistruar për herë të parë në Regjistrin Qendror të Qytetarëve ose zgjedhës që kanë ndryshuar komunë pas këtyre zgjedhjeve.

Sipas raportit të ‘Listës zgjedhore’, numri i votuesve, emrat e të cilëve janë fshirë nga lista për shkak të vdekjes, ndërrimit të komunës apo heqjes dorë nga shtetësia e Republikës së Kosovës pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 23 prillit 2023, është 365.

Sipas vendimit të KQZ-së, në ditën e votimit, numri i qendrave të votimit në komunën e Leposaviqit është 8, në Zubin Potok 5, në Zveçan 5 dhe në Mitrovicën e Veriut 5.

 

/rtsh.al/