RTSH 24 Live

Kosova

Kosova, jo vaksinave që nuk janë të regjistruara nga EMA

05/04/2021

Kosova, jo vaksinave që nuk janë të regjistruara nga EMA

Kosova nuk do të pranojë vaksina që nuk janë të regjistruara nga EMA Lajmin e kanë bërë të ditur kryeministri Albin Kurti dhe ministri i shëndetësisë Arben Vitia në mbledhjen e së hënës. "Kam qenë në kontakt me kryeministrin e Shqipërisë lidhur me çështjen e vaksinimit në Kukës ku kemi kërkuar që kjo tu mundësohet edhe mësimdhënësve, jo vetëm punëtorëve shëndetësorë, por për këtë gjë më pas kanë vazhduar komunikimin e tyre ministrat përkatës, Vitia dhe Manastirliu." tha zoti Kurti.
"Në parim duhet ta kemi parasysh se Republika e Kosovës duke qenë se nuk njihet nga jo pak shtete në botë në mesin e të cilave janë edhe dy fuqitë e mëdha që janë dhe anëtare të Këshillit të Sigurimit, nuk e ka komoditetin e pranimit të vaksinave gjithandej siç po bëjnë disa shtete të tjera" tha ai.
"Orientimi ynë është europian dhe euroatlantik me shtete të cilat na kanë njohur prandaj dhe kemi rezervën tonë, skepticizimin tonë dhe qëndrimin tonë të qartë karshi ofertave të ndryshme që do të mund të na vinë nga shtete mosnjohëse jashtë Europës. Situata në këtë aspekt është më delikate për Republikën e Kosovës sesa të gjitha vendet e tjera të rajonit" tha kryeministri Kurti.
Duke dhënë spjegime të mëtejshme ministri Vitia kujtoi se "Në fillim hga kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu kemi pasur një ofertë gjeneroze që të vaksinohet stafi mjekësor me vaksinat Pfizer ose AstraZeneca në territorin e Shqipërisë ku ne do të organizonim procesin e vaksinimit dhe të transportit të organizuar.
Por vaksinat që erdhën me kontigjentin e parë, 24 mijë vaksina, për shkaqe logjistike, vaksinimi i personelit shëndetësor më shpejt ndodhi në Republikën e Kosovës dhe kam këkruar nga Manastirliu dhe qeveria shqiptare që kjo të mundësohet dhe për vaksinimin e  katogorive të tjera, mësimdhënësit.
Por fatkeqësisht vaksinat Pfizer dhe AstraZeneca kanë mbaruar në Shqipëri dhe ka mbetur vetëm Sinovac me prodhim nga Kina. Për arsye që ne në Republikën e Kosovës edhe po të donim na ndalojnë ligjet që të importojmë produkte që nuk janë të regjistruara nga EMA, në këtë situatë nuk e kemi parë të arsyeshme që mësimdhënësit tanë të vaksinohen me vaksina që ne nuk mund të garantojmë për to, duke mos qenë të regjistruara në Kosovë.
Kjo është arsyeja pse është shtyrë procesi. Manastirliu më ka thënë që në momentin kur do të kemi vaksina Pfizer dhe AstraZeneca do të shohim mundësinë që ky vaksinim të ndodhë në një moment tjetër" ka spjeguar ministri i shëndetësisë së Kosovës Arben Vitia. 
Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë këtë fillimjavë edhe masat e reja për pandeminë e Covidit në vend. Ajo miratoi 46 pika me masa të ndryshme në lidhje me parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19 në vend. Qeveria ka vendosur për ndalimqarkullim të qytetarëve nga ora 22:00 deri në 05:00, mësimi do të kalojë online dhe restorantet do të punojnë vetëm me porosi.
Një nga pikat e masave të së hënës është edhe testi negativ për të hyrë në Kosovë, ndryshe qytetarët duhet të vetëizolohen për 7 ditë.