RTSH 24 Live

Politikë

Kosova drejt anëtarësimit në KiE, Begaj: Arritje e merituar, reflektim i standardeve evropiane

27/03/2024

Kosova drejt anëtarësimit në KiE, Begaj: Arritje e merituar, reflektim i standardeve evropiane

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka reaguar pas miratimit të raportit për propozimin që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Përmes një postimi në rrjetin social “X”, Begaj shkruan se kjo është një arritje e merituar e Kosovës drejt anëtarësimit të plotës në Këshillin e Evropës.

Sipas Begajt, miratimi i sotëm i raportit nga Komiteti i Politikave të Jashtme të Asambelsë së Parlamentit Evropian nxjerr në pah përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane.

Arritje e merituar e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës. Kjo dëshmon përkushtimin e palëkundur politik të Kosovës ndaj vlerave dhe standardeve evropiane”, shkruan Begaj.

Raporti i hartuar nga ish-ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojanis, u miratua me 31 vota duke e bërë këtë dokument një moment historik për Kosovën.

Më herët, zv/presidentja e Asamblesë Parlamentare të KiE, Blerina Gjylameti u shpreh se ky anëtarësim nuk ka të bëjë me pranimin ose jo të njëri-tjetrit, “por pranimin e përpjekjeve të secilit për të kontribuar në mbrojtjen dhe promovimin e parimeve të shtetit ligjor, demokracisë dhe të drejtave të njeriut.”

Ky raport do t’i kalojë më pas për shqyrtim Asamblenë Parlamentare të KiE në muajin prill.

/rtsh.al/