RTSH 24 Live

Politikë

Ivi Kaso për RTSH: Opozita do të kërkojë që në kodin e ri zgjedhor të rikthehen koalicionet parazgjedhore

29/03/2024

Ivi Kaso për RTSH: Opozita do të kërkojë që në kodin e ri zgjedhor të rikthehen koalicionet parazgjedhore

Pas arritjes për t’u ulur me mazhorancën në diskutime përmes asaj që u pagëzua “”Grupi i Dialogut”, demokratët kanë bërë gati propozimet për kodin e ri zgjedhor, të cilat shumë shpejt do t’ia paraqesin për diskutim kolegëve të shumicës. Në një intervistë për RTSH-në Ivi Kaso sekretar për çështjet ligjore dhe ato zgjedhore në grupimin e Berishës, tha  se deputetët e opozitës do të kërkojnë  rikthimin e  koalicioneve parazgjedhore. Për këtë qëllim tha Kaso do të insistohet të respektohet marrëveshja politike e 5 qershorit 2020, e bekuar nga faktori ndërkombëtar, por e zhvlerësuar me ndryshimet e njëanshme kushtetuese të miratuara më pas në kuvend.

“Me ndryshimet e njëanshme kushtetuese të cilat ndryshuan formulën e koalicioneve ishte një atentat i rëndë i jo vetëm i sensusit por edhe i standarteve zgjedhore të arritura deri në atë moment. Propozimi jonë ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet ai i rikthimit tek sensusi i fundit që ne kemi pasur, marrëveshja e 5 qershorit e cila nuk e preku këtë pikë”, tha Kaso.

Sipas Kasos rikthimi tek koalicionet parazgjedhore i jep zgjidhje edhe  debatit për listat e hapura.

“Flasim shumë për listat e hapura, por harrojmë listat e hapura të partive të cilat i mbylli Edi Rama me ndryshimet e njëanshme kushtetuese, ishte pikërisht formula e koalicioneve siç kishim. Të rikthehemi tek konsensus i fundit i prishur nëse do të duam të kemi konsensus për të vazhduar dhe për të bërë një reformë të vërtet zgjedhore”, tha Ivi Kaso.

Ivi Kaso tha se opozita do të jetë e hapur për diskutime me shumicën  për ndryshimin e sistemit zgjedhor, pa treguar se cili është më preferenciali për opozitën. Prioritet tha ai, ka garantimi i votës së emigrantëve, sikundër  sanksionimi në kodin e ri zgjedhor të  votimit të detyrueshëm të qytetarëve, një praktikë kjo që sipas Kasos  aplikohet në disa vende të BE-së. Kaso tha se opozita ka interes që në kodin e ri zgjedhor  të adresohen rekomandimet e OSBE-ODHI-it  me synimin që  zgjedhjet të përmbushin standartet ndërkombëtare  të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

/RTSH/