RTSH 24 Live

Aktualitet

Incineratori i Elbasanit/ SPAK kërkon 6.8 vjet burg për Lefter Kokën e 3 administratorët. Nga 2.8 për Bllakon e të tjerët

18/05/2023

Incineratori i Elbasanit/ SPAK kërkon 6.8 vjet burg për Lefter Kokën e 3 administratorët. Nga 2.8 për Bllakon e të tjerët

Prokuroria e Posaçme kërkon dënimin me 6.8 vite burg ish ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe 2 administratorë ende në kërkim të incineratorit të Elbasanit; si dhe 2.8 vite burg për ish deputetin Alqi Bllakon i cili në kohën kur u dha leja e incineratorit ka mbajtur postin e ish sekretarit të ministrisë së Mjedisit.

Nga 2.8 vite burg u kërkua dënim edhe për 4 ish zyrtarë të kësaj ministrie. Për administratoren tjetër Stela Gugallja është kërkuar 4.8 vjet burg.

Konkluzionet përfundimtare u lexuan në seancën e sotme në  Gjykata e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar edhe Korrupsionit nga prokurori Arben Kraja, Ish kreu i Prokurorisë së Posaçme i cili ka hetuar dhe rastin.

Gjithashtu prokurori përfaqësues i SPAK në seancë, Arben Kraja kërkoi dhe konfiskimin e dy kompanive Integrated Technology ShPK dhe Alb Tech, 4 kompanive që u paguan nga incineratori, 8 apartamenteve, kantina e verës dhe 3 pasurive të paluajtshme të Lefter Kokës

Gjykimi i shkurtuar 

Në seancën e sotme Prokurori kërkoi dënimin konkretisht me 10 vite burg të Lefter Kokës, Mirel Mërtirit dhe Klodian Zotos. Por meqë është pranuar gjykimi i shkurtuar ,  dënimit të kërkuar i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht kërkohet dënimi me 6.8 vjet burg.

Për Stela Gugallen është kërkuar dënimi me 7 vjet burg. Meqë është pranuar gjykimi i shkurtuar dënimit të kërkuar i ulet 1/3 e masës së dënimit dhe përfundimisht kërkohet dënimi të dënohen me 4.8 vjet burg.

Për ish deputetin Alqi Bllako dhe Jonida Zeqo, Pëllumb Abeshi, Bardhul Çabiri e Serafin Papa kërkohet dënimi me nga 4 vite burg por meqë është pranuar gjykimi i shkurtuar SPAK i kërkon gjykatës uljen e 1/3 të masës së dënimit duke kërkuar që përfundimisht të dënohen me 2.8 vjet burg. 

Ish zyrtarja e ministrisë së Mjedisit Etleva Kondi nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar prandaj do gjykohet më vete.

Pretenca e SPAK

Lefter koka 10 vjet/6.8 
Alqi Bllako 4 vjet /2.8 
Pëllumb Abeshi 4 vjet / 2.8
Klodian Zoto 10 vjet/ 6.8
Serafin Papa 4 vjet/ 2.8
Bardhyl Çabiri 4 vjet/ 2.8
Mirel Mërtiri 10 vjet/ 6.8
Stela Gugallja 7 vjet/ 4.8
Jonida Zeqo 4 vjet/ 2.8

Akuza

Ish ministri Lefter Koka akuzohet për shpërdorim detyre, korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë dhe pastrim parash

Ish-deputeti Alqi Bllako akuzohet për "shpërdorim detyre" për veprime të kryera në rolin e tij si Sekretar i Përgjithshëm i Minsitrisë së Mjedisit. Gjithashtu ish zyrtarët akuzohen për shpërdorim detyre. Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të funksioneve publike për një periudhë 5 vjeçare për Lefter Kokën dhe Alqi Bllakon.

Biznesmenët Klodian Zoto, i cili është pronari zyrtar i kompanisë, si dhe administratorja Stela Gugallja dhe Klodian Zoto janë nën akuzë për korrupsion aktiv e pastrim parash. Ndërsa Mirel Mërtiri sipas prokurorisë është  “pronarit faktit të shoqërisë“Albtek Energy””, kompani që zyrtarisht është nën pronësinë e shtetases Stela Gugallja dhe fitoi koncensionin. Ndërsa Klodian Zoton, ortak i vetëm dhe administrator i “Integrated Technology Services” sh.p.k, shoqëria që mori përsipër ndërtimin. 

Prokuroria thotë se dy kompanitë e incineratorit të Elbasanit,  “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. kanë paguar rreth 329 milionë lekë (afërsisht 3 milionë euro) fatura për punë të pakryera.

Konfiskimi

SPAK kërkon gjithashtu dhe konfiskimin e 2 kompanive “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k, që morën konçensionin dhe ndërtuan impiantin në Elbasan. Gjithashtu sekuestrimin e kantinës së pijeve "Gjergj Kastrioti Skenderbeu", 3 shoqërive tregtare "Pivot 04" "J.P.Y" "Sili", 8 apartamenteve si dhe 3 pasurive të paluajtshme të Lefter Kokës.

 

Reagon avokati

Avokati i Jonida Zeqos, Saimir Visha tha se ky proces  po ndikohet politikisht

“Për herë të parë prokuroria ka shkelur me të dyja këmbët parimin e gjësë së gjykuar. Kjo çështje u gjykua nga gjykata e Elbasanit. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që SPAK nuk ka bërë dallim por ka dhënë masa drastike për ‘shpërdorim detyre”.  Në të gjitha çështjet për ‘shpërdorim detyre” gjykata nuk ka dhënë më shumë se 1 vit, por këtë herë ka dhënë 4 vjet. E kam thënë që në fillim kjo është çështje politike aspak ligjore. Prandaj ka shkuar deri në këtë pikë duke katërfishuar masën e dënimit" tha Visha në përfundim të seancës.

Dosja prej dhjetorit në GJKKO

Sipas prokurorisë, të akuzuarit kanë dhënë koncesion në kundërshtim me ligjin, kanë lëshuar dhe pranuar fatura për punime të paqena dhe kanë transferuar paratë e përfituara përmes një rrjeti kompanish false.

Në dhjetor 2022, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar mbylli hetimet dhe dërgoi dosjen për gjykim ndaj ish ministrit Koka, ish deputetit Bllako, gjashtë zyrtarëve të tjerë si dhe biznesmenët Mërtiri, Zoto e Gugallja. Nën akuzë penale u vendosën edhe kompanitë “Albtek Energy” sh.p.k dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k dhe 5 ish zyrtarët e ministrisë.

Në shkurt 2023 GjKKO pranon gjykimin e dosjes së incineratorët të Elbasanit. Pas pretencës që u lexua sot, avokatët mbrojtës pritet të thonë fjalën e tyre në 1 qershor 2023. 

Ndihmoi në raportim gazetarja: Flutura Tota

/rtsh.al/