Ministri i Punëve të Jashtme, Igli Hasani, ka përfunduar një vizitë dyditore në Katar, ku mori pjesë në Forumin e Doha-s me ftesë të Shkëlqesisë së Tij, Sulltan bin Saad Al-Muraikhi.
Gjatë kësaj vizite, u trajtuan tema të rëndësishme si siguria energjetike në kontekstin aktual gjeopolitik në Evropë dhe Azi.
Ministri Hasani shkruan se u diskutua mbi mundësitë për të thelluar më tej marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Katarit, duke u përqendruar në bashkëpunimin ekonomik dhe politik.
Hasani vlerësoi rolin e rëndësishëm të Katarit në ruajtjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme dhe mundësitë e reja që ofron ky partneritet për të dyja palët.
“Përfundova vizitën dyditore në Katar, ku mora pjesë në forumin prestigjioz të Doha-s, me ftesë të Shkëlqesisë së Tij, Sulltan bin Saad Al-Muraikhi.
Me homologë dhe ekspertë të njohur diskutuam mbi çështje të ngutshme globale dhe mora pjesë në panelin mbi sigurinë energjetike, në kontekstin aktual gjeopolitik në Evropë dhe Azi.
Në një takim dypalësh me ministrin Al-Muraikhi, diskutuam mundësitë për të ngritur më tej marrëdhëniet, tashmë të forta mes Katarit dhe Shqipërisë, me fokus bashkëpunimin ekonomik dhe politik. Shfrytëzova gjithashtu rastin të përgëzoj ministrin për rolin thelbësor të Katarit në nxitjen e stabilitetit në Lindjen e Mesme.
Gjatë forumit u takova me drejtues të lartë të Dhomës së Tregtisë dhe drejtorin e Fondit për Zhvillim të Katarit, ku diskutuam mbi rrugë konkrete për bashkëpunim mes vendeve tona”, shkruan Hasani në platformën X.
/rtsh.al/