Juristja Brizida Gjikondi ka komentuar reagimet publike të kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, pas kontrollit, me urdhër të SPAK, në banesën e tij. Në emisionin “3D”, Gjikondi, shprehet se Veliaj nuk duhej të kishte përfshirë Berishën në reagim, por të respektonte vetëm SPAK-un.
Sipas saj, reagimet e kryebashkiakut lënë të kuptosh që po luan politikisht pasi siç ajo thotë ka probleme brenda dhe jashtë Partisë socialiste.
"Statusin e zotit Veliaj e quaj të pavlefshme. Ai foli njëherë dhe tha që ishte në krah të SPAK dhe do ja linte në dorë kësaj të fundit, mirëpo reagimi i fundit mu duk më shumë për t’u martirizuar. Edhe fjalori që kishte përdorur ndaj Berishës tregonte viktimizim, por ndërkohë brenda ishin dy mesazhe për SPAK. E para që i kishte shkuar pa vendim dhe e dyta që SPAK kishte lajmëruar të tjerë që të shkonin në banesë, para se të shkontë SPAK. Mendoj që ndonjëherë heshtja është flori, pra ose pozicionohu tek SPAK dhe lërja në dorë, ose merr avokat. Marrja e Veliajt me Berishën nuk më la shije të mirë. Veliaj po luan politikisht pasi ka probleme brenda dhe jashtë PS-së", tha Gjikondi.