RTSH 24 Live

Aktualitet

Fredi Beleri rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon pafajësinë

16/09/2024

Fredi Beleri rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon pafajësinë

Dy javë pas lirimit të tij me kusht, Fredi Beleri ka ankimuar në Gjykatën e Lartë dënimin “për korrupsion në zgjedhje”.

Beleri ka bërë rekurs në Gjykatën e Lartë mbi vendimin e Gjykatës së Posaçme që e dënoi ish-kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës në zgjedhjet e 14 majit, me dy vite burg. Fredi Beleri kërkon në Gjykatën e Lartë pafajësinë.

Kujtojmë se Gjykata e Fierit vendosi më 2 shtator lirimin me kusht të Belerit, kur i kishin mbetur edhe 6 javë dënim me burg për korrupsion në zgjedhje.

Fredi Beleri u arrestua më 12 maj 2023, dy ditë para zgjedhjeve, pasi u kap duke blerë vota. Ai u dënua nga gjykata me 2 vite për korrupsion zgjedhor, ndërsa mandati i fituar për kryetar Bashkie Himarë nuk iu dha duke mos lejuar betimin e tij pas dënimit nga drejtësia.

Gjatë kohës që ishte në burg, Beleri është zgjedhur edhe eurodeputet për Greqinë, i cili u lejua nga drejtësia shqiptare që të shkojë në Bruksel dhe të bënte betimin si eurodeputet.

/rtsh.al/