RTSH 24 Live

Europë

Franca ndalon tubimet e mëdha në publik

02/04/2021

Franca ndalon tubimet e mëdha në publik

Franca do të ndalojë tubimet e më shumë se gjashtë personave në publik dhe shkelësit do të ndiqen penalisht, njoftoi kryeministri i vendit, Jean Castex.

“Sjelljet e mosrespektimit të orarit të ndalimit ose refuzimit të mbajtjes së maskës duhet t’i parandalojmë dhe t’i sanksionojmë”, deklaroi Castex gjatë një debati dhe votimi në parlament për masat e reja shëndetësore të shpallura nga Presidenti Emmanuel Macron të mërkurën në mbrëmje.

Kufizimet kanë për qëllim parandalimin e të rinjve nga grumbullimet e pakujdesshme në rrugë dhe shmangien e rritjes në rastet e COVID-19.

Franca do të vendosë një bllokim të pjesshëm për katër javë nga kjo e shtunë, ku çerdhet, shkollat ​​dhe dyqanet jothelbësore do të qëndrojnë të mbyllura.

“Ne do të shohim veçanërisht nëse respektohet ndalimi i tubimeve të më shumë se gjashtë personave në rrugët publike dhe konsumi i alkoolit në hapësirën publike do të ndalohet”, theksoi ai.

Vendimi i kreut të qeverisë franceze vjen pak ditë pas publikimit në mediet sociale të imazheve dhe videove që tregonin me disa qindra persona duke u argëtuar në Lion, shumica pa maska, duke kërcyer me muzikë të fortë dhe duke pirë alkool.