RTSH 24 Live

Kosova

Fëmijët e dëshmorëve të UÇK protestë kundër Albin Kurtit: Po na shkel gjakun, dorëhiqu ose kërko falje

23/01/2023

Fëmijët e dëshmorëve të UÇK protestë kundër Albin Kurtit: Po na shkel gjakun, dorëhiqu ose kërko falje

Fëmijët e dëshmorëve të UÇK-së kanë zhvilluar një protestë kundër kryeminsitrit Albin Kurit I cili tha se politikani i ndjerë serb Oliver Ivanoviç kishte punuar për tolerancë ndër-etnike. Protesta nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” për të përfunduar para Kryeministrisë, ku protestuesit me pankarta në duar kërkonin që Kurti të kërkonte falje ose të largohej.

“Marre”, “Dorëheqje”, “Kërko falje”, “Mos shkel gjakun e dëshmorëve” ishin disa nga pankartat e protestuesve, të cilët kërkonin që gjaku i prindërve të tyre të mos hidhej poshtë.

Fëmijët e dhëmorëve të UÇK-së kërkuan që kryeministri Kurti të mos devijojë historinë dhe me komentet e tij ndaj Ivanoviç po bënte tradhti pasi ai kishte marrë pjesë në spastrimet etnike.

 “Kryeministër mos na shkel në gjak, stop devijimit të historisë. Nuk duam të bëhemi pjesë e fajit dhe tradhtisë. Më shumë kujdes dhe përgjegjësi ndaj historisë. Deklaratat e pamatura dhe të rrezikshme, ofendimet si ky i Kurtit do të pasohen me protestat tona. Durimin e popullit po e cilësoni si injorant dhe paaftësi. Nuk jemi as injorant dhe as të paaftë, dhe ne do t’iu kërkojmë llogari publike. Populli që ti e ke ofenduar, duron ndoshta, por nuk harron e as nuk falë kurrë. Ne fëmijëve të dëshmorëve kursena larg politikave dhe larg çdo gjëje. Mos na fyeni në ndërgjegjen dhe plagët tona. Albin dorëhiqu ose kërko falje”, tha një protestues.

“Ivanoviç ka qenë shef i Rojeve të Urës, dhe organizator i paramilitarëve që ka pamundësuar jetën e shqiptarëve të Mitrovicës. Ka marrë pjesë në masakrën e Kovaçëve, dhe ku mbi 1 milionë shqiptarë janë dëbuar si pasojë e krimeve të Serbisë. Sot këtu jam ardh si një fëmijë që 24 vjet nuk e di se çfarë ndjenje është me thirr emrin babë. Dhe me pyet kryeministrin se çka po i pengon atij UÇK-ja dhe lufta jonë. Po e lartëson një kriminel dhe nuk po i përmend heronjtë tanë. A i vjen turp që një kriminel lufte e quajti hero dhe gjakun e dëshmorëve e ka shkelur me atë deklaratë? Po dua me pyet kryeministrin a të vjen turp me dalë para fëmijëve të dëshmorëve? Kryeministër a të vjen turp t’i hapësh edhe njëherë plagët? A të vjen turp t’u dalësh përballë grave kosovare të dhunuara nga kriminelët serbë? A ki turp për atë deklaratë? Prandaj kërko falje kryeministër. Edhe pse e di që ti nuk je në lëkurën tonë”, tha një tjetër.

Më herët kryeministrit Kurti tha se Oliver Ivanoviç kishte punuar për tolerancë ndër-etnike. Oliver Ivanoviç, ishte një politikan serb i Kosovës dhe u vra më 16 janar 2018 në Mitrovicën e Veriut.

/rtsh.al/