RTSH 24 Live

Sport

Faza paraeliminatore e Kupës së Shqipërisë

06/01/2024

Faza paraeliminatore e Kupës së Shqipërisë

Veprimtaria e dytë e basketbollit të meshkujve, Kupa e Shqipërisë, nis mesjavën e ardhshme rrugëtimin e këtij sezoni. Të mërkurën dhe të premten do të zhvillohen ndeshjet e fazës së saj paraeliminatore. 

Duke qenë se në Kampionatin e këtij sezoni, që zhvillohet me një kategori të vetme me 11 ekipe,  7 prej tyre, që në mbyllje të fazës së parë u renditën nga vendi i parë në të 7-tin, kualifikohen automatikisht për në çerekfinale. 

Këto skuadra janë Besëlidhja, Kamza Basket, Tirana, Vllaznia, Teuta, Apolonia dhe Flamurtari.

Ndërsa 4 ekipet që u renditën nga vendi i 8-të, në të 11-tin, zhvillojnë midis tyre një fazë paraeliminatore, për të përcaktuar se cila do të jetë skuadra që merr biletën e fundit për në çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. 

Kështu, të mërkurën, më 10 janar 2024, luhen dy gjysmëfinalet e kësaj faze, aty ku Elbasani i vendit të 8-të përballet me Skënderbeun e vendit të fundit, atë të 11-të, në takimin që luhet duke nisur  nga ora 17:00 në Pallatin e Sportit “Tomor Sinani”. 

Ndërsa duke nisur nga ora 18:30, Partizani i vendit të 9-të përballet me Fieri Basketin e vendit të 10-të, në ndeshjen që do të luhet në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet.

Ndërsa, të premten, duke nisur nga ora 19:00, fitueset e këtyre dy çifteve do të përballen me njëra-tjetrën në sfidën finale. 

Dueli që do të përcaktojë se cila skuadër do të shkojë në çerekfinale, do të luhet në fushën e skuadrës që do të dalë fituese në duelin Elbasani-Skënderbeu.

/ rtsh.al /