RTSH 24 Live

Sport

E vërteta për ndeshjet e Kombëtares, RTSH edhe pas 3 ofertave nuk arriti të fitojë të drejtat

06/06/2022

E vërteta për ndeshjet e Kombëtares, RTSH edhe pas 3 ofertave nuk arriti të fitojë të drejtat

Kombëtarja shqiptare ka qenë gjithmonë prioritet i Radio Televizionit Shqiptar në të gjithë aktivitetet ndërkombëtare, brenda dhe jashtë vendit. Ndërkohë, të drejtat televizive për aktivitetet sportive kanë qenë një nga zërat kryesore të ardhurave të UEFA-s dhe FIFA-s. Ato kanë ardhur duke u rritur në mënyrë të rëndësishme pas çdo kompeticioni, ndërkohë që loja/gara me shifrat e kompanive që bëhen ndërmjetëse të të drejtave të kompeticioneve europiane dhe botërore dhe vete televizioneve apo platformave ka çuar në rritjen e frikshme të shifrave për blerjen e këtyre të drejtave.

Disa muaj me parë, Radio Televizioni Shqiptar hyri në garën e të drejtave televizive për ndeshjet e kombëtares shqiptare të futbollit në Ligën e Kombëve.

Pavarësisht vështirësive ekonomike dhe konkurrencës së ashpër në treg, RTSH paraqiti një ofertë serioze për transmetimin e të gjithë takimeve të përfaqësueses sonë.

Gara e të drejtave nuk ishte e ndarë për platformat pa pagesë dhe ato me pagesë, por konsiderohet një garë e hapur për të gjithë. Fatkeqësisht, oferta nuk u mor parasysh.

Kombëtarja e Shqipërisë ka patur një udhëtim të përbashkët me RTSH në shumicën e kompeticioneve ndërkombëtare, ku RTSH asnjëherë nuk është tërhequr edhe ne momente të vështira nga transmetimi dhe sjellja për te publiku shqiptar i ndeshjeve të saj, pavarësisht kostove gjithmonë në rritje, pavarësisht burimeve financiare gjithmonë e më shumë të kufizuara.

Mjafton të përmendim se Shqipëria ka tarifën më të ulët për aparat që është burimi kryesor i financimit të RTSH, jo vetëm në Europë, por edhe më gjerë se kaq.

Edhe këtë herë, pavarësisht se nuk arriti të fitojë të drejtat e kombëtares në tenderin për ndeshjet e Ligës së Kombeve, RTSH negocioi me fituesin e garës për të marrë prej tij të drejtat për transmetimet pa pagesë. Çmimi i propozuar ishte dy herë më i lartë se oferta e parë, dhe negociatat dështuan, edhe pse RTSH bëri dy oferta në rritje karshi kësaj platforme për të siguruar ndeshjet e kombëtares.

Situata ekonomike dhe financiare, kriza me të cilën po përballet jo vetëm RTSH dhe Shqipëria, por qe kërcënon globin, për shkaqet që tashmë janë të ditura, e bëjnë RTSH të ndërgjegjshme për mirë menaxhimin e buxheteve të saj.

Çmimet e ofruara për të blerë kombëtaren mund të konsideroheshin edhe si sakrificë e përballueshme në një kohë tjetër, por janë absolutisht jashtë parametrave normale në kohën që jetojmë. Dhe me gjithë përpjekjet e vazhdueshme, negociatat dhe dëshirën për të patur në ekranin e publikut kombëtaren e të gjithëve, ishte e pamundur që kjo të arrihej me kushtet që RTSH-së iu imponuan.

Ky nuk është vetëm një problem shqiptar dhe nuk është se prek vetëm median publike shqiptare. MRT, televizioni publik i Maqedonisë së Veriut për herë të parë dështoi edhe ai në blerjen e të drejtave sportive të kombëtares së futbollit të këtij vendi. MRT nuk do të transmetojë ndeshjet e Maqedonisë së Veriut për tre edicionet e Ligës së Kombeve si edhe për tre edicionet e kualifikueseve për Kampionatin Europian.

Po ashtu, në Ceki, Radio Televizioni Publik ka vendosur të mbyllë një prej kanaleve të tij më popullor, për të kursyer miliona euro të nevojshme për mbijetesën e medias publike.

Sipas drejtuesve të Radio Televizionin Cek, kjo ka ardhur për shkak të situatës së krizës ekonomike, rritjes së inflacionit dhe për shkak të refuzimit për më shumë se një dekadë për të rritur tarifën e aparatit.