RTSH 24 Live

Politikë

Cenimi i sigurisë në botë, Peleshi: Shqipëria nisi rijetësimin ushtarak pas kërkesës së NATO-s

18/04/2024

Cenimi i sigurisë në botë, Peleshi: Shqipëria nisi rijetësimin ushtarak pas kërkesës së NATO-s

Shqipëria ka detyrim të rijetëzojë industrinë e saj ushtarake si pjesë e kërkesës së NATO-s pas nisjen së luftës në Ukrainë, ku siguria në botë është gjithnjë e më shumë e cenueshme. Kështu u shpreh ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi gjatë interpelancës së thirrur ndaj tij nga deputeti i mazhorancës Nasip Naço.

Deputeti Naço tha se ministri duhet të sqarojë se pse Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan që nuk ka një industri ushtarake të zhvilluar.

“A ka patur propozime për të marrë me koncesion sektorë të industrisë ushtarake të huaja apo vendase për ti vënë në punë duke garantuar sigurinë kombëtare? Të gjithë vendet e Ballkanit e kanë të zhvilluar industrinë ushtarake. Ne e mbajmë të konservuar, boshatisim tunelet, depot”, tha Naço.

Gjatë fjalës së tij, ministri Peleshi tha se me kërkesë të NATO-s dhe me një raport të Aleancës ku vlerëson asetet ushtarake të Forcave të Armatosura tashmë qeveria ka nisur rijetësimin e prodhimit të mjeteve ushtarake. Ky rijetëzim, tha Peleshi, po bëhet në bazë të standardeve të NATO-s dhe inovacionit në fushën e mbrojtjes.

“Pas luftës në Ukrainë ku po ndizet vatra konflikti jemi sot ku paqja është e kërcënuar. Kjo situatë sfidoi bazën industriale të mbrojtjes globale dhe kërkesë të lartë globale për sisteme armatimesh. Në kuadër të menaxhimit të industrisë shtetet anëtare të NATO-s kanë mbështetur planin e veprimit për prodhimin e mbrojtjes dhe ky është konteksti që vijmë sot ku Shqipëria si gjithë aleatët ka detyrim të rrisë rezervat e armatimeve për t’iu përgjigjur ndryshimeve të sigurisë. FA kanë synim strategjik me forcimin e  tyre dhe rritjen e prodhimeve. Si aleatë të NATO duhet të rijetësojmë kapacitete ushtarake. Rijetësimi do të nxisë inovacionin duke tërhequr investime serioze nga aleatët dhe do të nxis zhvillimin ekonomik. Për këtë duhet edhe një bazë e arsimit profesional dhe inovacionit. Nga tetori 2022 kemi kërkuar nga NATO të hartojë një raport për të gjithë industrinë tonë që të dimë se çfarë kemi në kuptimin e vlerës të aseteve tona dhe mund të orientohemi më mirë për të vendosur se çfarë game produktesh duhet investuar më shumë”, u shpreh ministri.

Peleshi tha se vendi erdhi nga një “komunizëm me paranoja” duke militarizuar vendin më shumë nga sa “mbante mbi shpatulla” ushtria shqiptare, dhe me ardhjen e demokracisë disi procesi i çmilitarizimit.

Sot, shtoi ministri, rijetësimi ushtarak i vendit duhet bërë sipas teknologjive të fundit dhe kërkesave të NATO-s.

“Rikujtoj disa fakte: Shqipëria ka qenë një nga vendet më të militarizuara në botë në periudhën komuniste dhe ne shpenzonin deri në 25 % PBB për mbrojtjen. Kemi kaluar një periudhë paranoje kombëtare që bëri këtë militarizim ekstrem. Pas komunizmit në trashëguam një rezervë mjaft të madhe armatimesh dhe infrastrukturë që shpatullat e një ushtri të zvogëluar nuk e mbanin dot. Pas 30 vitesh një pjesë e madhe e municioneve dhe infrastrukturës është një çështje për tu zgjidhur pasi është barrë dhe duhet përshtatur me teknologjitë e reja dhe standarde dhe objektivat që ka ushtria dhe aleancës ku bëjmë pjesë në NATO.  Sot uzinat janë inekzistente eshë për shkak të një periudhe të domosdoshme të çmilitarizimit të vendit”, tha Peleshi.

/rtsh.al/