RTSH 24 Live

Ekonomi

BSH: Inflacioni bazë u ul në 2.73%, në muajin mars

19/04/2024

BSH: Inflacioni bazë u ul në 2.73%, në muajin mars

Banka e Shqipërisë njoftoi se inflacioni bazë shënoi një rënie tjetër në muajin mars, duke forcuar besimin se rritja e çmimeve në ekonomi, po kthehet brenda objektivit 3%.

Sipas Bankës së Shqipërisë, inflacioni bazë në muajin mars zbriti në 2.73%, nga 2.91% që kishte qenë në muajin shkurt, duke shënuar rënie për të dytin vit me radhë.

Inflacioni bazë llogaritet nga Banka e Shqipërisë për një grup mallrash, që zënë 69% të peshës në shportën e përgjithshme të Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Inflacioni bazë përjashton ato produkte që zakonisht kanë luhatshmëri të lartë, kryesisht produktet ushqimore dhe ato energjetike. Qëllimi i llogaritjes së inflacionit bazë është ta zhveshë rritjen e përgjithshme të çmimeve nga luhatjet me natyrë më afatshkurtër.

Sipas INSTAT, në muajin mars inflacioni zbriti në 2.3%, në nivelet më të ulët prej pothuajse tre vjetësh. Megjithatë, kontributin kryesor e ka dhënë ulja e ndjeshme e inflacionit të importuar, për shkak të rënies së çmimeve të mallrave në tregjet botërore dhe efektit të forcimit të Lekut në kursin e këmbimit valutor.

/ rtsh.al /