RTSH 24 Live

Europë

Bjellorusia fut Shqipërinë në listën e vendeve jo miqësore 

08/04/2022

Bjellorusia fut Shqipërinë në listën e vendeve jo miqësore 

Pas Rusisë, edhe qeveria e Bjellorusisë, e ka përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve jo miqësore, duke i qëndruar në krah Moskës për “operacionin special ushtarak” kundër Ukrainës.

Vendimi përkatës i Këshillit të Ministrave, është publikuar në Portalin Kombëtar Ligjor të Internetit bjellorus. 

Lista përfshin Australinë, shtetet anëtare të BE-së, Kanadanë, Lihtenshtajnin, Norvegjinë, Zelandën e Re, Shqipërinë, Islandën, Maqedoninë e Veriut, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara, Malin e Zi,  dhe Zvicrën. 

Sipas dekretit të qeverisë bjelloruse, vendet po ndërmarrin "veprime jomiqësore kundër subjekteve juridike dhe individëve bjellorusë". 

Pak ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin, firmosi një dekret me listën e vendeve të territoreve që po kryejnë veprime armiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj. 

Shqipëria, anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit ka dënuar agresionin rus, duke qenë një ndër zërat kryesorë kundër Rusisë. 

Me nismën e SHBA-së, në Këshillin e Sigurimit, Shqipëria votoi pro një rezolute që dënoi pushtimin rus në Ukrainë. 

Po ashtu, Shqipëria nuk do të marrë më pjesë në asnjë përballje sportive me Federatën Ruse deri në dhënien fund të pushtimit të Ukrainës.