RTSH 24 Live

Kosova

Biden: Dërgimi i trupave në Haiti "nuk është në axhendë për momentin"

16/07/2021

Biden: Dërgimi i trupave në Haiti "nuk është në axhendë për momentin"

Presidenti i SHBA-së, Joe Biden përjashtoi zyrtarisht mundësinë e dërgimit të trupave amerikane në Haiti pasi qeveria e përkohshme atje kërkoi që forcat amerikane të dërgoheshin në vendin e Karaibeve shkaku i trazirave.

Trazirat civile dhe dhuna e bandave kanë përfshirë Haitin pas vrasjes së ish-presidentit Jovenel Moise më 7 korrik, duke nxitur kërkesën e javës së kaluar që forcat amerikane të ndihmojnë në stabilizimin e vendit.

Duke iu përgjigjur pyetjeve, Biden përjashtoi mundësinë e dërgimit të trupave në Haiti, të paktën tani për tani.

"Ideja e dërgimit të forcave amerikane në Haiti nuk është në rendin e ditës në këtë moment", tha ai gjatë një konference të përbashkët për media me kancelares gjermane, Angela Merkel.

Megjithatë, presidenti tha se SHBA-ja po dyfishon praninë e saj detare në ambasadën e SHBA në Port-au-Prince në mënyrë që të forcojë sigurinë në strukturën diplomatike.

Një grup prej 21 kolumbianësh është akuzuar për bastisjen e shtëpisë së Moise dhe pushkatimin e tij javën e kaluar. Prej tyre, 18 janë ndaluar dhe tre janë vrarë nga policia.

Familjet e disa prej të akuzuarve në Kolumbi u thanë gazetarëve se burrat shkuan në Haiti për të punuar si truproje.

Pentagoni tha dje se disa nga të dyshuarit kolumbianë morën trajnim ushtarak nga SHBA.

"Një rishikim i bazave të të dhënave tona të trajnimit tregon se një numër i vogël i individëve kolumbianë të arrestuar si pjesë e këtij hetimi kishin marrë pjesë në programet e kaluara të trajnimit ushtarak dhe arsimor të SHBA-së, kur shërbenin si anëtarë aktivë të Forcave Ushtarake Kolumbiane", tha në një deklaratë zëdhënësi i Pentagonit, Ken Hoffman.

Hoffman nuk specifikoi sa individë morën pjesë në trajnim por tha se trajnimi "thekson dhe promovon respektimin e të drejtave të njeriut, pajtueshmërinë me shtetin e së drejtës dhe ushtritë e varura nga udhëheqja civile e zgjedhur në mënyrë demokratike".

Rishikimi i Departamentit të Mbrojtjes të çështjes është duke vazhduar, shtoi Hoffman.

Ngjarjet e fundit në Haiti e kanë zhytur vendin në një kaos lidershipi.

53-vjeçari Moise mori detyrën në vitin 2017 pas një procesi zgjedhor të kontestuar. Pas dështimit për të organizuar zgjedhjet e radhës, opozita kishte kërkuar që ai të largohej.

Një ditë para vdekjes së tij, Moise caktoi një kryeministër të ri i cili pritej të merrte detyrën më vonë atë javë, pasi kryeministri aktual Claude Joseph dha dorëheqje. Joseph tani pretendon se ligji thotë se ai duhet të mbetet kryeministër derisa të mbahen zgjedhjet.

Në Haiti duhet të mbahen zgjedhje presidenciale dhe parlamentare më 26 shtator./AA